'Po i vrisni gratë' - Kërkohet përgjegjësi për rastet e vrasjeve dhe sulmeve ndaj grave nga burrat e tyre
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me 07.08.2024, ka organizuar një aksion simbolik para Stacionit të Policisë në Prishtinë në shenjë revolet për vdekjen e gruas në Graçanicë pas palgëve që ka marrë nga i dyshuari burri i saj dhe plagosjen e gruas nga i dyshuari bashkëshorti i saj në Fushë Kosovë.
Aktivistet filluan aksionin duke shënuar në muret e stacionit policor në Prishtinë dhe Prokurorisë së Shtetit mbishkrimin “Po i vrisni gratë!”
Një aktiviste, e cila nuk pranoi të tregojë identitin e saj – përmendi rastet në fjalë, duke kërkuar drejtësi dhe mbrojtje për gratë në Kosovë.
“Veç brenda një jave një burrë e vrau gruan në Graçanicë dhe një tjetër tentoi ta vriste gruan në Fushë Kosovë, ky i fundit ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë në familje për tu liruar pas 48 orëve në procedurë të rregullt” – deklaroi aktivistja nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Për vdekjen e grave, Kolektivi i bënë bashkëfajtorë institucionet përgjegjëse duke thënë së për gratë dhe vajzat në Kosovë është “çdo ditë luftë.”
“Duke i bërë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vdekjen e grave, ne rikujtojmë që për vajzat dhe gratë në Kosovë çdo dit e është luftë, në këtë luftë shteti vazhdon t’u mbajë anën dhunuesve e vrasësve duke i amnistuar”- shtoi përfaqësuesja.
Më tej u bë thirrje për veprim dhe mobilizim nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria që t’iu dalin krah grave.
“Ne e kthejmë gishtin nga policia, prokuroria dhe gjykata të cilat në vazhdimësi po tregojnë që ky zinxhirë është patriarkal, i dhunshëm dhe armik i grave, ne bëjmë thirrje për veprim, kërkojmë nga institucionet e shoqëria që t’iu dalin krah grave”- ka njoftuar aktivistja nga Kolektivi.
Vdekja e gruas me 02.08.2024 nga Graçanica në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) erdhi si shkak i lëndimeve që viktima kishte marrë nga i dyshuari nga burri i saj.
Rasti në fillim ishte iniciuar si “Dhunë në familje” e “Lëndim i rëndë truporë”, mirëpo pas vdekjes së viktimës kjo ngjarje është ri-kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Ndërkaq, më 06.08.2024 një grua është plagosur me armë zjarri në Bresje të Fushë Kosovës, përderisa i dyshuari për veprën është bashkëshorti i saj.
Gruaja po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Për rastin e plagosjes së gruas nga bashkëshorti i saj në Fushë Kosovë u arrestua edhe një person.
Në raportin 24-orësh policor (07.08.2024) është thënë se në pranga të Policisë është vënë edhe një burrë tjetër që dyshohet se mori armën për ta larguar nga vendi i ngjarjes.