Plumbat që u shkrepën dje në Podujevë goditën edhe e-kioskën e Komunës

Plumbat që u shkrepën dje në incidentin mes dy familjeve në qendër të Podujevës goditën edhe e-kioskën e Gjendjes Civile në këtë qytet.

Në fotografitë që ka siguruar KALLXO.com shihet që plumbi që goditi e-kioskën kaloi në tre xhama.

Pak para se të arrihet tek e-kioska shihet që një plumb ka goditur edhe një pemë.

Nga përleshja mes dy familjeve, sipas Policisë së Kosovës, ku u përdorën edhe armët e zjarrit, lëndime pësuan tre persona, një i dyshuar e dy kalimtarë të rastit.

Policia tregoi se i dyshuari u godit nga plumbi, e kalimtarët u lënduan nga xhamat e thyer.

Tre të lënduarve u është dhënë ndihma mjekësore, kalimtarët e lënduar u liruan në shtëpi ndërsa i dyshuari po vazhdon tretmanin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nën sigurimin e zyrtarëve policorë.

Rreth rastit, i cili u cilësua si vrasje në tentativë në bashkëkryerje, u arrestuan dy persona, e dy të tjerë, në raportin 24 orësh policor, u tha se ende janë në arrati.

Policia tregoi se rasti do të vazhdojë të hetohet nga njësitet kompetente policore.