Plotësohen ulëset e zbrazëta të deputetëve që u bën ministra

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka marr vendim që të plotësohen ulëset e deputetëve të cilët janë bërë ministra.

Kësisoj, KQZ-ja e miratoi rekomandimin për Presidentin e Republikës lidhur me kandidatët e radhës që zëvendësojnë deputetët që janë bërë ministra.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti zëvendëson Albin Kurtin i cili tashmë është zgjedhur kryeministër, Alban Hyseni zëvendëson Glauk Konjufcën i cili është emëruar ministër i Punëve të Jashtme dhe për Diasporë, Arta Bajralija zëvendëson Albulena Haxhiun e cila është zgjedhur ministre e Drejtësisë, Fitim Haziri zëvendëson Arben Vitinë – Ministër i Shëndetësisë, dhe  Eman Rrahmani zëvendëson zëvendskryeministrin e dytë Haki Abazin.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës Hatim Baxhaku zëvendëson Anton Qunin i cili është emruar ministër i Mbrojtjes, Fidan Rekaliu zëvendëson Lumir Abdixhikun- i emëruar ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, Xhavit Uka zëvendëson Avdullah Hotin, i cili është zgjedhur zëvendëskryeministër i parë.

Kurse, Besa Gaxherri do ta zëvendësojë Hykmete Bajramin e cila është emëruar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Shkumbin Gashi zëvendëson Besian Mustafën, që është emëruar ministër i Bujqësisë.

Kurse, nga radhët e NDS-së, Zikreta Aliti e zëvendëson Emilija Rexhepin, e cila është emëruar në krye të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë mbajtur me 6 tetor të vitit të kaluar.

Por, me formimin e Qeverisë së re të Kosovë me 3 shkurt 2020, deputetë të zgjedhur të partnerëve të koalicionit LVV-LDK u bën ministra.

Deputetët e rinj kanë qenë në listë të pritjes, sipas rezultateve zgjedhore të 6 tetorit.