Pllaka të thyera, punë të pakryera: Projektit të "Kurrizit" i dalin të metat në shesh

Pamja mbi Kurriz në kryeqytet ditëve të fundit ka marrë një pamje tjetër, si pasojë e dëmtimit të pllakave-kockave në këtë pjesë.

Në fotografitë e dërgura në KALLXO.com shihen qartë dëmtimet.

Muhamed Emra, zyrtar nga Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave në komunën e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se kjo ka ndodhur për shkak të lëvizjeve të automjeteve të rënda mbi këtë bulevard.

“Pllatoja e ndërtuar është e paraparë për qarkullim të banorëve të lagjes dhe shërben si pjesë për rekreacion, jo për lëvizje të mjeteve të rënda motorike, ku në shumë raste kanë qarkulluar mjetet motorike të peshave të rënda si kamioneteve që kanë shërbyer për qytetaret e pandërgjegjëshem që kanë kryer aktivitete jo të lighshme”, ka thënë ai.

Emra ka shtuar se Komuna e Prishtinës ka obliguar kompaninë e cila ka kryer punimet, për rregullimin e dëmit.

“Duke e pasur parasysh këto dëmtime të paraqitura të disa pllakave varësisht prej rrethanave që kanë ndodhur, kemi urdhëruar operatorin që të gjitha dëmtimet që ndodhin varësisht prej rastit do t’i sanojnë në kuadër të garancionit që kanë deklaruar në kuadër të kushteve të veçanta të kontratës”, tha Emra.

Ndërkaq Kompania, “Rexha sh.p.k” ka thënë për KALLXO.com se punimet nuk mund të kryhen së shpejti.

“Dëmtimet do të rregullohen nga ana e Kompanisë sonë, mirëpo duke qenë se pllakat bëhen me porosi (nuk janë të gatshme) duhet të kalojnë në procesin e tharjes në mënyrë që të jenë të gatshme për t’u vendosur”, kanë thënë nga “Rexha sh.p.k”.

Projekti i pa realizuar

I nisur në verën e vitit 2015, projekti në vlerë prej rreth 1 milion euro (977,725,51 euro)  për ndërtimin e Bulevardit mbi Kurriz në Prishtinë ndonëse ka përfunduar, nuk është realizuar i tëri.

Fontana, ashensorët, ndriçimi publik janë vetëm disa nga pikat e projektit që nuk janë kryer.

Mos realizimi i tyre ka ndodhur si shkak i mangësive të projektit dhe mos planifikimit të shpenzimve.

Raporti i organit mbikëqyrës të kontratës ka konkluduar se vendi i ashensorëve që ishte paraparë në projekt nuk është bërë për shkak se pas fillimit të punimeve lokacioni doli të jetë i parealizueshëm.

Në raport gjithshtu thuhet se gjatë zhvillimit të punimeve, kabllot e vendosura në tokë ishin vjedhur me ç’rast as ndriçimi publik nuk kishte mundur të kryhej. Si pasojë e mungesës së kabllove elektrike, as fonatana e paraparë nuk është realizuar.

Muhamed Emra ka thënë për KALLXO.com se ka pasur mangësi të mëdha gjatë planifikimit të projektit “Bulevardi mbi Kurriz”.

“Të gjitha elementet e tjera që nuk janë realizuar ka ndodhur për shkak të mangësive të mëdha që kanë qenë në fazën e planifikimit jo të mirëfilltë dhe jo profesional të projketit kryesor, por më tepër ka qenë si projekt ideor jo i detajizuar dhe analizuar sa duhet për fazën e projektit kryesor”, ka thënë Emra.

Ndërkaq kompania e cila ka kryer punimet ka thënë për KALLXO.com se projekti nuk ka përfunduar për arsye të buxhetit.

“Punimet nuk kanë përfunduar mbi Kurriz për arsye se Projekti ka qenë mjaft i mangët dhe ka pas shumë punë të pa parapara për të cilat nuk kanë mjaftuar mjetet financiare”, ka thënë nga “Rexha sh.p.k”.