'Plisat' japin detaje sa para mblodhën e sa familje strehuan pas tërmetit në Shqipëri

Grupi i tifozëve “Plisat” ka bërë publike shumën e parave të grumbulluara gjatë aksionit për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë, të cilët u goditën rëndë nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit.

“Plisat” njoftojnë se kanë mbledhur 16 mijë e 883 euro dhe kanë strehuar rreth 150 familje.

Grupi i tifozëve të klubeve të kryeqytetit ka publikuar dokumente për të treguar sipas tyre transparencën.

Ata kanë falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar rreth strehimit, bartjes së ndihmave si dhe kontributin e dhënë në mbledhjen e ndihmave për familjet që kanë mbetur pa strehim.

Mëngjesin e 26 nëntorit, Shqipëria u përball me një tërmet 6.4 ballësh. Nga ky termet 51 persona humbën jetën, qindra kërkuan ndihmë mjekësore e dhjetëra ndërtesa e objekte u dëmtuan.

Vetëm në ish-kampin e ushtrisë gjermane të KFOR-it në Prizren janë strehuar më shumë se 500 persona pas tërmetit të fuqishëm.

Ndihmë dhe strehim janë ofruar edhe nga familje të caktuara në shumë komuna të Kosovës.