Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Plenkoviq flet për sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit: Besojmë te dialogu Kosovë - Serbi

Gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Kroaci, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, ka folur për sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit.

Në një konferencë të përbashkët me Kurtin, Plenkoviq deklaroi se incidentet që kanë ndodhur se fundmi në veri janë marrë me shumë shqetësim nga Kroacia.

“Faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare do t’iu bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur. Kam përmendur se ky incident nuk është i ri, nuk është i vetmi, ka pasur tri incidente, së paku, që kanë ndodhur vitin e fundit, dhe për sa i përket Kroacisë, janë analizuar shumë thellësisht, dhe janë marrë me shumë shqetësim”- u shpreh ai në konferencën e mbajtur më 13.12.2024.

Ai tutje tha se beson te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve, dhe gjithsesi të përfundojë më njohjen e ndërsjellë.

“Besojmë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve, dhe gjithsesi të përfundojë më njohjen e ndërsjellë, si dhe funksionimin që do të çonte te pozita, që Kosova të ndërmarr rrugëtimin e vet adekuat drejt Bashkimit Europian. Ekzistojnë ende pesë shtete të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën, e për këtë, ky proces mund të mos jetë i shpejt ashtu siç duhet”- tha kryeministri kroat.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Bashkimi Europian e ka cilësuar sulmin në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Jovan Viqentijeviq lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut më 29.11.2024.

Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.12.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.