PLE kërkon nga Qeveria të miratojë një pako ndihmëse emergjente për komunitetin egjiptian

Partia Liberale Egjiptiane ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës miratimin e një pako ndihmëse emergjente për familjet në nevojë, duke përfshirë edhe komunitetin egjiptian.

“Subjekti Politik PLE me shqetësim të madh ka pranuar informatat këtyre ditëve nga mediat si dhe nga komuniteti egjiptian përkitazi me ngritjen enorme të çmimeve në produktet ushqimore bazike në Kosovë, duke thelluar kështu akoma më shumë gjendjen ekonomike të familjeve egjiptiane”, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

PLE ka kërkuar që në këtë pako të përfshihen pako ushqimore dhe higjienike, ndarjen e një shume financiare për familjet pa asnjë të hyrë dhe çfarëdo mase tjetër ndihmëse.

“PLE konstaton se çdo ditë e më tepër, familjet në nevojë nga komuniteti egjiptian janë duke u ballafaquar me vështirësi të mëdha ekonomike, për shkak edhe të pjesëmarrjes së ulët në tregun e punës si dhe vështirësitë e tjera që janë krijuar nga pandemia Covid-19”, thuhet më tej në komunikatë.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.