Planifikohet ulja e pagave të zyrtarëve të lartë të Postës

Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës po planifikon që të bëjë ulje të pagave për menaxhmentin dhe zyrtarët e lartë të kësaj ndërmarrje.

Fillimisht, sipas Sindikatës së Punëtërove të Postës ishte diskutuar që të ketë ulje të përgjithshme të pagave edhe për punëtorët që nuk janë zyrtarë të lartë.

KALLXO.com ka siguruar një e-mail që sindikata e punëtorëve të Postës së Kosovës ua ka nisur bordit menaxherial të Postës duke kërkuar të mos marrin vendim për uljen e pagave.

Në këtë letër, përfaqësuesit e Sindikatës pretendojnë senjë takim që është mbajtur dje ka qenë destruktiv dhe ka pasur kërcënime nga bordi dhe menaxhmenti për largim nga puna të punëtoreve që kundërshtojnë këtë vendim.

“Takimi të cilën e mbajtëm sot me datë 11.12.2020, i cilu u përcjell me tone të larta, poashtu ishte edhe destruktiv nga ana e Bordit dhe Menaxhmentit, e deri te kërcënimi për largim nga vendi i punës nëse e kundërshtoni vendimin e Bordit dhe të Menaxhmentit”, thuhet në këtë letër që e ka siguruar KALLXO.com.

Letra e Sindikatës së Postës për Bordin e drejtorëve dhe Menaxhmentin Foto: KALLXO.com

Mirëpo, ndryshe ka thënë për KALLXO.com kryesuesi i Bordit, Leonard Shabanaj.

“Takim konstruktiv që ka zgjat shumë, por do ta konsumojmë gjithë debatin me ta, personalisht pres mbështetje nga sindikata dhe do t’i shohim partner gjatë gjithë kohës”, tha kryesuesi i bordit, Leonard Shabanaj.

“Nëse kjo ulje e pagave do të ndodhë, do të jetë ulja e katërt e pagave për punëtorët e Postës së Kosovës, të cilët edhe ashtu janë në gjendje të rëndë për shkak të pandemisë”, thuhet tutje në letren e Sindikatës së Punëtorëve të Postës.

Mirëpo sipas Shabanajt, nuk do të ketë ulje të pagave për punëtorët, por vetëm për menaxhmentin dhe zyrtarët e lartë.

“Është planifikuar ulje e pagës për menaxhmentin dhe zyrtarët e lartë, jo për punëtorët. Janë afërisht 90 persona, ata që kanë paga enorme që sillen prej 1000 deri në 2000 euro”, tha në mes tjerash Shabanaj.

Sipas kryesuesit të Bordit të Postës, kjo ndërmarrje është duke punuar me humbje dhe pagat e larta të disa zyrtarëve janë në kundërshtim me performancën e kompanisë.

“Presim mbështetje nga sindikatat që të kryejmë këtë proces ku vendoset ligjshmëri, balancë dhe hierarki e pagave për ata që kanë paga shumë të larta e që janë në kundërshtim me preformancen e ndërmarrjes e cila është duke operuar me humbje”, tha tutje Shabanaj.

Në letrën që Sindikata e Punëtorëve të Postës e ka dërguar, është paralajmëruar edhe grevë për ditën e hënë.

“Ju njoftojmë se nëse deri të hënën, me datë 14.12.2020 në ora 11:30 nuk dërgohen email në Posta komplet se jeni tërhequr nga vendimi për ulje të pagave, ne do të marrim masa të ashpra sindikale, ku prej orës 12:00 do të hyjmë në grevë të përgjithshme deri në anulimin e atij vendimi”, thuhet në letrën e Sindikatës dërguar Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Postës së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Postës së Kosovës, Bujar Shala tha për KALLXO.com se në rast se preken pagat e punëtorëve të Postës, do të ketë grevë, por në rast se ulja e pagave do të jetë vetëm për menaxhmentin, ata si sindikatë nuk kanë cfarë të bëjnë.

“Menaxhmenti dhe bordi ka thanë që ka me pasë ulje të pagave prej kryeshefit e deri te punëtori i sportelit. Ne kemi reaguar në lidhje më këtë. Ne nuk e pranojmë këtë ulje të pagave. Ne si sindikatë e mbrojmë punëtorin, jo menaxhmentin. Ne kemi reaguar për pagat e punëtorit të Postës”, tha Bujar Shala për KALLXO.com

“Nëse bordi ka reflektuar dhe nuk pretendon t’i ulë pagat e punëtorëve jemi në rregull. Ne nuk e kundërshtojmë uljen e pagave për menaxhmentin, ne e kundërshtojmë uljen e pagave të punëtorëve”, tha në mes tjerash Shala.

KALLXO.com raportoi sot se Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes Publike Posta e Kosovës ka shfuqizuar një vendim të cilin e mori vetëm pak ditë më parë për rritjen e pagave.

Bordi i Përkohshëm i Postës anuloi vendimin për rritje pagash