Planifikohet ndërtimi i shtatores për shtatë pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe Sami Lushtaku

Komuna e Skenderajt në buxhetin e vitit 2023 ka ndarë 50 mijë euro që të ndërtojë shtatore për themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas planit, planifikohet që të skalitet në bronz, komandanti legjendar Adem Jashari, Hamez Jashari, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Musa Jashari edhe Jakup Nura. Sami Lushtaku është nënkryetar i Komunës së Skenderajt.

Ideja sipas komunarëve ka ardhur për të jetësuar fotografinë e famshme të këtyre shtatë pjesëtarëve të UÇK-së mbi shkëmb në fshatin Prelloc.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Amir Lushtaku.

“Është një fotografi ku janë në fshatin Prellovc, tek shkëmbi i Prellovcit. Në atë foto është Komandanti legjendar Adem Jashari, Hamez Jashari, Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Musa Jashari edhe Jakup Nura. Në të njëjtin vend, ashtu siç janë fotografi, me të njëjtin pozicion, do të bëhet skalitja në bronz. Planifikohet me fillu vitin e ardhshëm sapo të përfundojnë procedurat, sepse duhet me shku me proceduar të prokurimit. Për këtë projekt janë planfiku 50 mijë euro”- tha Lushtaku.

Buxheti në total i Komunës së Skenderajt për vitin 2023 është 16 milionë euro e 291 mijë e 891 euro.