Planifikimi i Shpend Ahmetit për renovimin e shkollave, punimet kryhen pasi fillon viti shkollor

Komuna e Prishtinës  si duket nuk ka planifikuar siç duhet renovimin e shkollave në kryeqytet.

Në shkollën  fillore ‘Ismail Qemaili’ janë duke u kryer punime brenda objektit të shkollës, pikërisht në kohën kur nxënësit kanë filluar mësimin.

Zëvendësdrejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi, ka thënë se këto punime kanë filluar qe një kohë, mirëpo edhe pse ka filluar viti i ri shkollor, ato ende nuk janë kryer.

“Punimet kanë filluar 2-3 muaj, fillimisht janë renovuar banjot dhe disa pjesë të korridoreve, ndërsa tash ka mbetur salla e edukatës fizike”, ka thënë ajo.

Kur është pyetur se si punimet po kryhen në kohën kur ka filluar viti i ri shkollor ajo tha se nuk ka zgjidhje tjetër.

“Vetëm kjo pjesë e sallës ka mbetë me u rinovu, të gjitha janë kryer por kjo është vonu. Jemi mundu që pjesët kryesore të kryhen dhe gjithë materialin ndërtimor ta veçojmë në një vend ndërsa për këtë pjesë ku gjendet salla  e edukatës fizike nuk kemi zgjidhje tjetër, pasi punët duhen me përfundu”, ka thënë Krasniqi.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje për këtë çështje edhe nga Komuna e Prishtinës mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ditën e djeshme nxënësit e gjimnazit shoqëror ‘Ahmet Gashi’ protestuan para komunës, pasi ishte marrë vendim që objekti të rrënohet, sepse po paraqiste rrezik për nxënësit, për shkak të vjetërsisë.

Nxënësit po kërkonin që nëse rrënohet shkolla e tyre, aty të ndërtohet objekti i ri, e jo të keqpërdoret për ndërtime të tjera.

Protestë kundër rrënimit të objektit të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë