Plani për delegim të pastrimit të kryeqytetit edhe te kompani të tjera 'alarmon' "Pastrimin"

Shpallja e një tenderi në vlerë 16.5 milionë euro nga Komuna e Prishtinës për menaxhim të mbeturinave mblodhi të premten, më 22.11.2024, në shenjë proteste para Komunës punëtorë të kompanisë regjionale ‘Pastrimi’, të cilët shfaqën shqetësimin e tyre se ky hap i Komunës do i çojë drejt falimentimit.

Me pankarta me mbishkrimet “Mos prekni bukën e punëtorit”, “Ndërmarrja jonë, e ardhmja jonë”, “Drejtësi për punëtorët e KRM ‘Pastrimi’”, punëtorët protestuan para Komunës së Prishtinës që kjo e fundit të tërhiqet nga plani për delegim të përgjegjësisë për pastrimin e qytetit te operatorët privatë.

Tenderi i Komunës së Prishtinës pritet t’u ndahet operatorëve të sektorit privat për periudhë trivjecare. Këta të fundit do kryejnë shërbimin në komunë me mjete të tyre dhe sipas kërkesës së Komunës.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunë, Bekim Brestovci, në një deklarim për Kallxo.com u shpreh se buxhet milionësh deri tani ka marrë edhe “Pastrimi”.

“Kjo vlerë për të cilën po flasim është trivjecare sepse e kam parë që në opinionin publik është tentuar të plasohet ndryshe, dhe deri më tani ndërmarrja që ka kryer shërbimet ka marrë vlerë të tillë sepse 5 millionë euro e ka pasur kontratën për grumbullimin e mbeturinave”- tha ai.

Sektori privat si opsion për zgjidhje të situatës

Foto: Kryeqyteti Prishtina/Facebook

Komuna angazhoi kompani private paralelisht me ‘Pastrimin’ që nga muaji mars i këtij viti kur edhe kishte shpallur gjendje emergjente situatën me mbeturina.

“Ka qenë një gjendje që na ka obliguar të shpallim gjendje emergjente dhe për t’i marrë disa veprime së paku fillestare për ta trajtuar dhe përmirësuar pak a shumë gjendjen në terren kështu që ia kemi dalë sukseshëm”- shtoi tutje Brestovci.

Brestovci madje përmendi edhe hapat që ka ndërmarrë Komuna deri tani për përmirësim të gjendjes.

“Kemi pajisur një pjesë të kryeqytetit me 1,370 kontejnerë të rinj, tani jemi në pranim të kontingjentit të dytë prej afër 2,500 kontejnerëve të cilët pastaj në dhjetor do shpërndahen në kryeqytet. Duhet të kemi mekanizëm të mjaftueshëm për t’i bartë ato mbeturina në kohë deri në deponi sepse mund të dalin jashtë kontejneri dhe të kemi hapësirë përreth jo të pastër që është pastaj edhe një rrezik për shfaqje te epidemive të ndryshme”- shtoi me tej drejtori i Shërbimeve Publike.

Sipas tij, duke e parë ‘pamundësinë’ e ‘Pastrimit’ për t’i dalë zot menaxhimit të kësaj situate kanë qenë të obliguar që të shkojnë në një version tjetër, që t’i ftojnë për tri vite operatorët ekonomikë privatë “të cilët do e kenë mekanizmin e kërkuar nga ne në dispozicion për të ofruar shërbimin”.

Në dosjen e tenderit që ka hapur Komuna bëhet e ditur se kontrata do jetë e ndarë në 6 pjesë dhe mund të lidhet me më shumë se një operator ekonomik. Derisa, në secilin lot/pjesë kërkohen nga 20-30 punëtorë.

Komuna ka kërkuar nga kompanitë private që kamionët e tyre të jenë të pajisur me GPS , për të ditur lokacionin e tyre.

Sipas dosjes, mbledhja e mbeturinave nga bizneset realizohet me tre lloje të makinerisë, duke pasur parasysh që kemi rrugë me gjerësi të ndryshme në qytet dhe në zonën rurale.

“Pas zbrazjes së kontejnerëve, operatori obligohet të pastrojë sipërfaqen përreth kontejnerëve nga mbeturinat, të cilat janë hedhur nga qytetarët e pandërgjegjshëm apo janë shpërndarë përreth kontejnerëve për ndonjë arsye tjetër”- thuhet në detaje të dosjes së tenderit.

Bekim Brestovci u shpreh se kanë plane edhe si të veprohet me punëtorët e kompanisë “Pastrimi” që eventualisht rrezikojnë të humbin punën.

“Ne i kemi planet tona se si do veprojmë me ata punëtorë të cilët eventualisht mund të rrezikohen për shkak që “Pastrimi” do jetë në shërbim vetëm në një lot në kryeqytet, kështu që duhet të ulemi me ndërmarrjen, me veprime konkrete, sepse kemi edhe shumë kontrata të tjera ku mund t’i angazhojmë ata punonjës”- tha ai.

Sipas tij, edhe menaxhmenti i ‘Pastrimit’ duhet të jetë më i qasshëm ndaj Komunës.

“Unë nuk e kam brengë të madhe që mund të pësojnë punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”. Duhet të ulemi me menaxhmentin e kompanisë, ata normalisht duhet të jenë pak më të qasshëm dhe në vend që t’i frikësojnë punëtorët që do mbesin pa punë, të ulen dhe të flasin me neve dhe të shohin se cilat janë zgjidhjet që mund t’i ofrojmë bashkarisht”.

Gjendja kaotike në qytet, ‘Pastrimi’ nuk ofron garancë për shërbimet e kërkuara

Kontejnerët e stërmbushur në Veternik/ Foto: KALLXO.com

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, deklaroi se me ndihmën e operatorëve privatë do ndajnë qytetin në disa zona dhe mbledhja e mbeturinave do bëhet në orar të caktuar për të shmangur tollovinë në trafik.

“E mira e kësaj është që kontejnerët do zbrazen në kohë e do dërgohen në deponi. Tani me ndarjen e Prishtinës në pesë zona do kemi vetëm në kryeqytet pesë kompani të angazhuara, kështu që shërbimi do kryhet në mes orës 03:00 dhe 06:30 të mëngjesit me këtë do kontribuojmë në moskrijim të tollovive në komunikacion”- tha Brestovci.

Brestovci bëri të ditur se Komuna e ka ndihmuar disa herë kompaninë ‘Pastrimi’ sa i përket borxheve ndaj kompanisë për menaxhim të deponive si dhe pagesës mujore.

“Ne si Komunë e kemi ndihmuar tri herë kompaninë ‘Pastrimi’, përpos pagesës mujore që kemi bërë, kemi dhënë edhe 400 mijë euro subvencion për t’i zvogëluar borxhet ndaj deponisë (KMDK). Kjo ka qenë edhe një prej brengave shtesë që i kemi pasur, pastaj e dimë që ka edhe probleme të tjera financare”- është shprehur Bekim Brestovci.

Ai theksoi se gjendja kaotike në këtë kompani nuk u ka ofruar garancë për kryerje të shërbimeve që kanë kërkuar.

“Aty është një gjendje kaotike dhe një gjendje që absolutisht mua si drejtor i Shërbimeve Publike nuk më ka ofruar garancë që ndërmarrja ‘Pastrimi’ do jetë në mundësi të ofrojë shërbimin të cilin e kërkoj unë në interes të qytetarëve”.

Kompania ‘Pastrimi’ përkrahet financiarisht nga 7 komunat e regjionit të Prishtinës ku ushtron veprimtari.

‘Pastrimi’  disa herë është përballur me borxhe edhe ndaj kompanisë për menaxhimin e deponive, KMDK, e cila në vitin 2022 ia kishte ndaluar qasjen në deponinë në Mirash të Obiliqit.

Veprimtaria e kompanisë “Pastrimi” përfshin regjionin e Prishtinës me komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë. Largimi i Prishtinës si financuese do shkaktojë jostabilitet por edhe përgjegjësi shtesë për komunat e tjera.

Çfarë thotë ‘Pastrimi’?

Lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për të lënë këtë përgjegjësi tek operatorët privatë, “Pastrimi” në disa përgjigje për Kallxo.com deklaron se disa herë kanë kërkuar takim me drejtorin e Shërbimeve Publike të Komunës.

“I njëjti asnjëherë nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë dhe ende nuk e kemi të qartë pse”.

“Kërkesa për takim ka pasur për temë gjetjen e zgjidhjes afatgjate të problemit me mbeturina në Komunën e Prishtinës me theks të veçantë diskutimi për nënshkrimin e marrëveshjes për shërbime afatgjate së paku 10 vite për të cilën vetë kryetari Përparim Rama është zotuar duke nënshkruar marrëveshje me KfW-në lidhur me projektin i cili do të financonte në formë granti prej 24.1 milionë euro si fazë e parë si mjete të cilat tani se veç se janë zotuar nga Qeveria Gjermane, dhe për një total prej 74 milionë euro duke e përfshirë fazën e dytë të investimeve (53 milionë euro nga Bashkimi Europian)”- bën të ditur “Pastrimi”.

Kompania “Pastrimi” ka bërë të ditur se numri i të punësuarve në Prishtinë është rreth 580.

Nga kompania bëjnë të ditur se kërkesat e punëtorëve, por edhe kompanisë, janë anulimi i këtij tenderi dhe kthimi i shërbimeve te kompania.

“Punëtorët e KRM “Pastrimi” kërkesat i kanë adresuar në ditën kur janë mbajtur konsultimet publike në Komunë më 20 nëntor si dhe sot në protestën e organizuar nga punëtorët pranë Komunës së Prishtinës”.

“Kërkesat në vazhdimësi kanë qenë anulimi i shpalljes/tenderit 16.5 milionë euro për operatorët privatë, largimi i të drejtës për operator privat sipas paragrafit 3 të nenit 16 të rregullores së Komunës për mbeturinat që e parasheh operatorin privat si dispozitë e cila qëllimisht po keqpërdoret, kthimi i inkasimit të shërbimeve nga kompania, ruajtja e investimit grantit të KfW-së prej 74 milionë euro, dorëzimi i kamionëve të rinj që janë blerë nga Komuna për KRM “Pastrimi” dhe të cilët ende nuk janë dorëzuar”- theksojnë me tej nga kjo kompani.

Sipas tyre, kompania operon me kamionë të mjaftueshëm sipas planit të ri operativ.

“Ne si kompani operojmë me numër të nevojshëm, brenda përcaktimit të planit të ri operativ me 14 kamionë në amvisëri dhe me 3 kamionë në biznese”- thonë më tej nga ‘Pastrimi’.

Sipas KRM “Pastrimi”, Komuna e Prishtinës si themeluese e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” përbën 77.8 % të aksioneve të saj dhe se me statutin si dokumenti më i lartë për themelimin e kësaj kompanie, obligohet që të ofrojë stabilitet dhe mirëqenie për kompaninë.

Nga “Pastrimi” tutje bëjnë të ditur se edhe me kontratën aktuale që kanë me Komunën nuk janë alokuar mjetet ashtu si është e përcaktuar.

“Në bazë të rregullores në fjalë çmimi për një njësi është e përcaktuar 6.20 euro, mirëpo Komuna në kontratën të cilën e kemi ekzistuese na ka dhënë për pagesë vetëm 5.8 euro, duke na ndalë vlerën 0.40 euro për 72 mijë njësi banimi me arsyetimin se të njëjtit do të bëjnë investime kapitale në kompani, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur të kemi investime”.

Sipas tyre, në bazë të kësaj çmimoreje fatura mujore për shërbime arrin vlerën 420 mijë euro, mirëpo e “njëjta faturë nga muaji prill 2024 nuk është paguar e plotë sepse fatura është paguar pjesërisht nga Komuna duke bërë ndalesa me mesatare mbi 150 mijë euro për faturë”.

“Deri më tani për periudhën 6-mujore nga këto ndalesa nga ana e Komunës jemi dëmtuar si kompani për një vlerë prej 844 mijë euro, ndalesa për të cilat as sot e asaj dite nuk kemi informacione zyrtare pse po bëhet një gjë e tillë dhe mbi çfarë baze ligjore”.

Gjithashtu “Pastrimi” thekson se sipas kontratës ekzistuese dëmtohen edhe me numrin e njësive të banimit.

“Nga qershori i vitit 2023 është bërë regjistrimi i ri i njësive ku kanë rezultuar 25 mijë klientë të rinj të cilët një pjesë e madhe është regjistruar në databazën e Komunës mirëpo për to edhe pse është kusht i kontratës ..nga Komuna asnjëherë nuk është zbatuar ky kusht ligjor i kontraktuar me kontratën ekzistuese, e që në përpjestim financiar përveç ndalesave të sipërpërmendura si kompani publike dëmtohemi edhe me 145 mijë euro për çdo muaj”- thekson më tej kompania.

Kurse, lidhur me tenderin e sapohapur nga Komuna, “Pastrimi” konsideron se janë përcaktuar kritere për ta përjashtuar kompaninë.

“Në shikim të parë janë vërejtur qartë që ekzistojnë specifika teknike të cilat e kufizojnë tregun dhe konkurueshmërinë si në aspektin e përcaktimeve të llojit të kamionëve ashtu edhe në ndalesat që kanë bërë për secilin lot të fitojë vetëm një operator, kushte këto në një formë apo tjetrën neve si kompani publike na pamundësojnë të aplikojmë”.

“Pastrimi” konsideron se me këto veprime, Komuna e Prishtinës ka zgjedhur rrugën e falimentimit të kompanisë.