Foto: Ilustrim

Plani me SMS për vrasjen në Prishtinë

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca e gjykimit të babë e bir, Baki Shkodriqi e Besnik Shkodra, të akuzuar për vrasje të rëndë, që ka ndodhur në shkurt të vitit 2019 në kryeqytet.

Në këtë seancë e dëmtuara S.Sh. dhe përfaqësuesja e saj, avokatja Arbenita Aliu, kërkuan përjashtimin e publikut për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

“Kërkoj që të mbyllet seanca për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe që po cenohet privatësia e të dëmtuarës” – tha Aliu.

Për këtë nuk pat kundërshtime nga palët e tjera andaj Gjykata vendosi sipas kërkesës së Aliut.

Prokuroria e Prishtinës në muajin shtator të vitit 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Besnik Shkodrës dhe Baki Shkodriqit për vrasjen e rëndë të A.J.

Sipas aktakuzës, Besnik Shkodra kishte pasur mosmarrëveshje të mëhershme me tani të ndjerin.

Dosja e Prokurorisë thotë se Besnik Shkodra, në ditën kritike, për një kohë të shkurtë, e kishte vëzhguar nga makina e tij të ndjerin A.J., i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte i akuzuari.

Tutje, sipas Prokurorisë, i akuzuari me të afruar kishte shtënë me armë drejt viktimës, i cili gjendej në veturë ashtu që pas të shtënave viktima del nga vetura dhe i akuzuari vazhdon me të shtëna drejt tij.

Në këtë mënyrë A.J. është rrëzuar në tokë dhe nga plagët e marra kishte vdekur në vend të ngjarjes.

Si shtytës të kësaj vrasjeje Prokuroria e akuzon babanë e Besnikut, Baki Shkodriqin.

Në aktakuzë thuhet se Baki Shkodriqi para vrasjes i kishte dërguar SMS të birit duke i thënë “a e mbushe?” ndërsa pak minuta pas vrasjes Besnik Shkodra i kishte dërguar SMS babait të tij “e kryet”.

Besnik Shkodra në këtë rast po ashtu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.