Ndërtesa e Teatrit Kombëtar në Tiranë - Foto: REL

Plani i ri i Edi Ramës: Ndërtesën e vjetër të Teatrit do ta rindërtojmë diku tjetër

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mënyrë të beftë se ka reflektuar për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe ka vendosur që ta rindërtojë ndërtesën ashtu siç ishte, por jo në të njëjtin vend, raporton Euronews Albania.

Duke folur në seancën parlamentare të sotme, Rama tha se do ta rindërtonte ndërtesën diku tjetër dhe jo më për funksion teatri.

“Meqë godina nuk u ndërtua kurrë dhe meqë ka jo këta, por ka njerëz që më kanë bërë të reflektoj në këtë situatë për një mangësi për një mungesë boshllëk, apo lëndim. Ne do ta marrim projektin origjinal dhe do ua rikthejmë jo aleancës për politikën me teatrin, jo artistëve apo artistëve politikanë, por do ua rikthejmë fëmijëve, si pjesë e një programi më të madh, do të përputhen gjërat dhe do ta kemi mes nesh, jo aty dhe jo teatër,” – u shpreh Rama në një fjalim të tejzgjatur dhe të shoqëruar herë pas here me kontestime nga deputetët e opozitës parlamentare.

“Për më shumë do ta shikoni dhe pastaj do të shikoni peligrinazhin për të shkuar te ajo godina, jo ju por fëmijët për t’ju mësuar aktrimin, apo edhe ndonjë nostalgjik. Edhe këta kur të marrin vesh se është diku tjetër do të mërziten dhe do të thonë mjaft tani,” – u shpreh Kryeministri, i cili replikoi me deputetët e tjerë të cilët vunë në diskutim faktin e vendimmarrjes.

“Ia vlen dhe do ta bëjmë. E vendosim vetë dhe e di pse pse? E vendosim ne sepse jemi zgjedhur që të vendosim, dhe jo ata që ikën, demokracia thonë që është gjithëpërfshirje, përpjekje për konsensus, por jo unanimitet, nëse kemi pasur mbështetjen e artistëve nga Robert Ndrenika te Altin Basha ne e kemi kryer përtej çdo gjerësie këtë detyrë,” – këmbënguli Kryeministri Rama.