Stadiumi Fadil Vokrri nga droni 01 foto KALLXOcom

Plani i Policisë për ndeshjen Kosovë - Angli, bllokohen rrugët rreth stadiumit 'Fadil Vokrri'

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot nga ora 07:00 është ndërprerë qarkullimi i veturave në drejtim të stadiumit “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, para ndeshjes historike futbollistike mes Kosovës dhe Anglisë, që do të zhvillohet sot nga ora 18:00.

Sipas Policisë, në këtë zonë nuk lejohet asnjë veturë të gjendet e parkuar për shkaqe të sigurisë.

Përmes një komunikate për media, PK-ja thekson se me rastin e zhvillimit të ndeshjes, përmes një urdhri operativ ka përcaktuar planifikimet operacionale policore për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje në aspektin e sigurisë.

“Qëllimi i operacionit policor është; krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët, mbrojtja e jetës dhe pronës publike dhe private, ndërmarrja e masave ligjore ndaj çdo veprimi të kundërligjshëm, kontrollimi i turmave pjesëmarrëse dhe menaxhimi i trafikut në veqanti në ato lokacione ku ka frekuentim më të theksuar të automjeteve dhe qytetarëve, etj”, thuhet në komunikatë.

Kombëtarja e Kosovës do ta pres në Prishtinë atë të Anglisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Në ndeshjen e fundit të futbollit me Republikën Çeke, Kosova humbi me rezultat 2:1, duke humbur kështu mundësinë të kualifikohet përmes fazës së grupeve.