
Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Plani i PDK-së për arsimin: Dyfishim i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe rishikim i teksteve shkollore
Modeli i mësimit tërëditor si një reformë në arsim e cila ka nisur të zbatohet nga drejtoria komunale e Prishtinës në shtatorin e viti 2024, në pesë shkolla të kryeqytetit, pritet të vazhdoj edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, nëse kjo parti do të udhëheq me vendin në katër vitet e ardhshme.
Fillimisht ky model, sipas planit të PDK-së, do të realizohet në shkollat që kanë më pak së 600 nxënës.
Sipas parashikimeve të kësaj partie, kjo pritet të ndodhë në vitin e dytë të qeverisjes.
“Ne e kemi në plan të ofrojmë mësim tërëditor për të gjitha shkollat në Kosovë që kanë më pak se 600 nxënës. Planifikimi do të fillojë menjëherë për mësimin terëditor, ndërsa realizimi në shtatorin e dytë- pasi të marrim mandatin”- ka deklaruar kandidatja për deputete, Besianë Musmurati.
Zotimi i radhës nga ana e saj ishte dyfishimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.
Musmurati ka siguruar në emër të PDK-së se një asistent do të përkujdeset për dy fëmijë në dy ndërrime mësimore.

Ndërsa kandidatja tjetër, Kristina Gashi-Bytyçi, përmendi nevojën e rishikimit të teksteve shkollore për t’i harmonizuar ato me plan-programet.
“Duhet të rishikohen tekstet shkollore dhe të harmonizohen me moshën e fëmijëve, por njëkohësisht edhe me plan-programin aktual”- tha Gashi-Bytyçi.
Si pjesë të reformave për arsim, PDK e ka futur edhe shtimin e inspektorëve të arsimit dhe ngritjen e kapaciteteve brenda drejtorive komunale. Këtë e ka thënë kandidati për deputet, Azem Guri.
Si premtim u dha edhe trajtimi me fokus të veçantë i komuniteteve me qëllim të integrimit të tyre në sistemin arsimor, para së gjithash me qëllim të trajtimit të barabartë të tyre.
“Do të kemi një fokus të veçantë me strategjinë e arsimit se si duhet të trajtohen ata, në mënyrë që të kenë arritje dhe mundësi të barabarta sikur krejt të tjerët”- ka theksuar kandidatja për deutete, Eliza Hoxha.
Ndërkaq, Azem Guri foli edhe për telashet që Kontrata Kolektive ia ka sjellë komunave.
“Është e cekur në Kontratën Kolektive mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit që mjetet i ndanë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit, gjë që nuk e ka bërë qëllimisht dhe për këtë shkak janë dëmtu komunat. Po e marrë shembull komunën prej nga vi- Kaçanikun. Këtë vit është dëmtu gjysmë milioni euro edhe vitin e ardhshëm 1.5 milion, e sa janë dëmtuar komunat tjera. Thjeshtë ka qenë obligim i Qeverisë që ta përmbush Kontratën Kolektive”- tha Guri.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: