Kandidati për deputet nga LDK, Fadil Hadërgjonaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Plani i LDK-së për zhvillimin e FSK-së, nga shtimi i brigadave deri te menaxhimi i luftës kibernetike

Në “Debat Përnime”, më 18.01.2025, kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë prezantuar planet e partisë së tyre për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lidhur me këtë, Fadil Hadërgjonaj, tha se FSK-ja do të zhvillohet në tri domene.

“FSK do të zhvillohet në tri domene: domenin e forcave tokësore të cilat do të rishikohen, sepse tani për tani forca tokësore ka vetëm një brigadë. Në programin tonë parashihet të kemi brigadën e këmbësorisë, brigadën e mekanizuar dhe brigadën e mbështetjes (me zjarr dhe me shërbime)”- tha Hadërgjonaj.

Në domenin e dytë, sipas tij, “hyjnë sistemet e mbrojtjes kundërajrore, dronët si dhe pjesa e helikopterëve- ku edukohen pjesëtarët e FSK-së”.

Ndërsa në domenin e tretë është paraparë menaxhimi i luftës kibernetike dhe informacionit si dhe bashkëpunimin me shtetin e Iowa-s.

“Domeni i luftës kibernetike dhe informacionit- që në vitin parë duhet ta kemi parasysh që kemi bashkëpunim me Iowa-n. FSK, veçse e ka ndërtuar një qendër të luftës kibernetike që është shumë aktuale sot dhe e domosdoshme”- tha Hadërgjonaj.

Ndër të tjera, gjatë debatit u tha së do të investohet edhe në krijimin e një qendre të profesionisteve për edukime dhe trajnime duke i shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese të FSK-së.

Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen