
Kandidatët për deputetë nga LDK. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Plani i LDK-së për Policinë e Kosovës: Pensionimi i policëve do të bëhet sipas modelit të FSK-së
Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), derisa kanë shpalosur në “Debat Përnime” programin për fushën e sigurisë, kanë folur edhe për reformat që i kanë paraparë për Policinë e Kosovës.
Nga ta u tha se në kuadër të kësaj reforme parashihet edhe Vettingu në këtë institucion.
Kandidati për deputet, Nuredin Ibishi, ka shpjeguar se ky proces planifikohet të fillojë nga Ministria e Punëve të Brendshme e deri të Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.
“Së pari do të lidhen reformat në Ministrinë e Punëve të Brendshme në aspektin sektorial, duke filluar nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor e deri te Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave”- ka thënë Ibishi.
Ndër të tjera, numri i zyrtarëve policorë, sipas planit të LDK-së do të rritet nga 8 mijë sa është aktualisht në 10 mijë.
LDK parasheh që pensionimi i policëve të bëhet sipas modelit të FSK-së, e jo të ketë pensionim të parakohshëm.
Sipas Ligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, nënoficerët pensionohen në moshën 50 vjeçare, kurse oficerët pensionohen në moshën 55 pesëdhjetë vjeçare.
Reforma premtohen se do të behën edhe në strukturat komanduese të Policisë së Kosovës.
“Një kohë, Drejtori i përgjithshëm ka qenë ushtrues detyre dhe na ka sjellë probleme, mirëpo në këtë drejtim do të kemi kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Policinë në mënyrë që mos të afekton në aspekte politike, por ai të jetë më tepër funksional”- tha Ibishi.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen