LDK premton t'ua ndaloj drejtorëve të shkollave politikën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hartuar një plan specifik për arsimin parauniversitar.

Xhavit Rexhaj, kandidat për deputet nga LDK-ja prezantoi në DebatPernime programin e LDK-së për arsim.

Sipas tij, drejtorët e shkollave duhet të kenë kontrata të përhershme që të mos varen nga politika.

“Drejtorët e shkollave do të kenë kontrata të përhershme. Drejtorëve të shkollave do t’u ndalohet pjesëmarrja në politikë”, tha Rexhaj.

Kujtojmë se Rexhaj ka qenë pjesë e Këshillit Shtetëror të CIlësisë dhe u largua nga ky bord sepse nuk iu lejua angazhimi politik në LDK njëkohësisht me punën në KShC.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partite, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse. Të ftuar në debat janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Xhavit Rexhaj. Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.