Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Plani i Koalicionit AAK-Nisma për energjetikën: Si do të sigurohen mjetet për ndërtimin e Termocentralit me thëngjill?

Kandidatët për deputetë që përfaqësojnë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe partnerët e saj të Koalicionit: Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal, në “Debat Përnime”, më 23.01.2025, kanë shpalosur planet për nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë, me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik.

Arton Demhasaj me këtë rast përmendi disa nga faktorët që ndikojnë që Kosova të konsiderohet vend i sigurt për investitorët e huaj.

“Çështja e parë është siguria, sepse investitorët e huaj nuk vijnë për të investuar në një vend që pikë primare nuk e ka sigurinë. Dhe, kjo çështje e sigurisë qysh në vitin e parë qeverisës ka me u rregullu. Çështja e sigurisë ka me qenë e plotë dhe e përhershme e që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në NATO.” – tha Demhasaj.

Element tjetër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, Demhasaj e cilëson funksionimin e mirëfilltë të Sistemit të Drejtësisë.

Sipas tij, nëse investitori i huaj ka ndonjë kontest, reagimi i Sistemit të Drejtësisë duhet të jetë i shpejtë në dhënien e epilogut, e jo të vonojë punët e investitorëve.

Ndërsa, faktorin e tretë, por jo më pak të rëndësishëm, Demhasaj e konsideron zhvillimin e infrastrukturës rrugore.

“Një autostradë që lidh Mitrovicën me Prizrenin, e që potencialisht secilit investitor atje i shkurtohet koha e transportit të mallrave e njëkohësisht edhe kostoja. Infrastruktura rrugore është tepër e rëndësishme tek investimet e huaja.” – thotë ai.

Stabiliteti i sektorit të energjisë elektrike është një element tjetër tejet i rëndësishëm, për ofrimin e kushteve të mira për investitorët e huaj – sipas Demhasajt.

Me synim të ofrimit të një ambienti të sigurt për investitorët e huaj dhe për të rritur zhvillimin ekonomik, Koalicioni AAK-Nisma, ka planifikuar edhe ndërtimin e Termocentralit me thëngjill.  Një Termocentral i tillë, sipas tij, do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe në reduktimin e ndotjes së ambientit.

“Kjo çështja e energjisë elektrike ka me u zgjidh, sepse kemi paraparë një Termocentral 500 MW, që ka me qenë me thëngjill, me standardet e teknologjisë më të re, e që ka me e reduktu edhe ndotjen e ajrit.” – ka thënë Demhasaj.

Kur u pyet, se si është menduar që të sigurohen mjetet për ndërtimin e këtij Termocentrali, ai u përgjigj se mbi 700 milionë euro i ka shpenzuar Kosova për katër vjet për blerje të energjisë elektrike, kështu që me një shumë të tillë, sipas tij, është i mundshëm edhe ndërtimi i Termocentralit.

“Shumë e thjeshtë, kjo Qeveri për katër vjet ka blerë energji elektrike dhe atë nga Serbia në shumën mbi 700 milionë euro. Tani imagjinojeni 700 milionë euro me i pasë në dorë, d.m.th. ti e ndërton një Termocentral pa pasë nevojë për ndihmën e askujt. Por, normalisht kjo duhet me u ndërtu me Partneritet Privato-Publik. Kjo, në minimum ka me e reduktu për 50% ndotjen e ajrit.” – tha Demhasaj.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e Koalicionit AAK-Nisma: Termocentral me thëngjill, rritje pagash e funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës