Foto: ZKM

Plani franko-gjerman, Kurti nesër pritet t’ua prezantojë qëndrimin e tij Scholzit dhe Macronit

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi teksa ka folur për propozimin franko-gjerman ka bërë të ditur për Radio Evropa e Lirë se kryeministri Albin Kurti pritet që nesër (e enjte) t’ia prezantoj qëndrimin e palës kosovare kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Bislimi ka thënë se kjo pritet të ndodh ditën e enjte me 3 nëntor në Berlin, gjatë takimit për Procesin e Berlinit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministri kosovar.

“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim” – ka thënë Bislimi në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Bislimi ka thënë se ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

“Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”-ka thënë tutje ai për REL.

Zëvendëskryeministri tutje ka shtuar se propozimi është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve në Kosovë. Ai tha se vetë e ka parë këtë dokument.

Ai po ashtu ka thënë se nuk dihen as rezervat e palës serbe për arsye se dokumenti deri më tani nuk është bërë publik.

“Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron” – ka thënë tutje Bislimi.

Ndërsa, i pyetur se a pritet që të jenë publike pas takimit që do të ketë kryeministri Kurti në Berlin, ai ka thënë se “U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”.

Propozimi franko – gjerman është përmendur më 8 tetor, nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekzistojnë ide, por nuk komentoi më tutje.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”- tha Kurti duke shtuar për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë.

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij tha që Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se bëhet fjalë për  “çështje javësh dhe jo vitesh”.

Escobar i dha mbështetje propozimit franko-gjerman të marrëveshjes duke theksuar se ky propozim duhet të merret seriozisht.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike…Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, theksoi ai./REL