
Foto: Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Plani 7 pikësh i shqiptarëve të Luginës, Kamberi dhe ambasadori britanik në Serbi takohen në Bujanoc
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka pritur në Bujanoc ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson.
Kamberi ka njoftuar se kanë biseduar për rëndësinë e implementimit të Planit 7 pikësh.
“Njohja e diplomave, ndalimi i pasivizimit selektiv e integrimi në institucione shtetërore janë parakusht për ndërtimin e barazisë mes komuniteteve”- ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se i ka treguar ambasadorit Ferguson për rëndësinë që ka pjesmarrja e përfaqësuesëve politik të shqiptarëve në takimet e ambasadorëve të formatit “Miqt e Jugut”.
Kamberi i ka kërkuar që një gjë e tillë t’iu sigurohet për takimin e radhës.
“Prezenca e ndërkombëtarëve në Luginë të Preshevës vazhdon të mbetet e domosdoshme për t’i kontribuar realizimit të drejtave që na takojnë”- ka shtuar Kamberi.
Shqiptarët etnikë në jugun e Serbisë po protestojnë kundër mënyrës sesi autoritetet e atjeshme po ua shënjojnë adresat e tyre “joaktive” – çfarë nënkupton se më nuk mund të votojnë ose t’i ripërtërijnë dokumentet personale.
Të indinjuar prej viteve të tëra të diskriminimit prej autoriteteve të Serbisë, shqiptarët etnikë kanë protestuar më 3 nëntor në komunën e Medvegjës në Serbinë jugore.
Protesta ishte e treta në muajt e fundit, pas protestave të mbajtura në dy komunat tjera në Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komunat në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej anës së autoriteteve serbe.
I ashtuquajturi “pasivizim i adresave” nënkupton se ata më nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre identifikuese serbe, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore për të nxjerrë dokumente personale, si e drejta e votimit.