Planet për tarifën: Takohen Kurti e Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa si dhe kryeministri, Albin Kurti pritet të mbajnë një takim pas zhvillimeve të fundit për tarifën.

Kështu ka thënë në një deklarim të shkurtër para mediave, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Do të bisedojmë për çështjet aktuale dhe sot do të takohemi në objektin e qeverisë, për të gjitha temat”, tha shkurt ai.

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërsa zëvëndëskryeminsti i parë Avdullah Hoti ka thënë që për këtë vendim nuk ka pasur dakordim paraprak duke shtuar se LDK nuk rri në qeverinë që s’e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve për vendime të tilla.

“Ky propozim i Kurtit nuk është i koordinuar me ne. Unë kam qenë në takim për të dakorduar çështjet që janë në agjendë të qeverisë dhe jam njoftuar nga kryeministri për këtë çështje. Nuk është qëndrim i dakorduar me ne”, ka thënë Hoti mbrëmë në T7.

Ndërsa kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ka thënë  se partnerët e koalicionit është e rëndësishme që të marrin vendime të përbashkëta.

“Ajo çka është me rendësi është që unë shohë bashkëpunim shumë të mirë nga ana e partnereve të koalicionit dhe po ashtu shoh që të dy partneret koalicionit e kanë qëllimin e përbashkët dhe ai qellim i ka dy parime themelore e para është mbrojtja e interesave të vendit dhe e dyta është mbrojtja e partneritetit me SHBA-t dhe BE-ne i cili është ekzistenciale për ecjen përpara të vendit tonë”, ka thënë Osmani.