Planet e Qeverisë Hoti për arsimin

I mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti në foltoren e Kuvendit ka paraqitur programin Qeverisës të tij.

Në mesin e premtimeve për fusha të ndryshme, ai premtoi se Qeveria e tij do të krijojë një sistem modern të arsimit.

“Do të angazhohemi për në sistem modern të arsimit që është gjithëpërfshirës, cilësor, autonom,  integruar publik dhe privat, që u ofron qytetarëve qasje në të mësuarin gjatë gjithë jetës në përputhje me nevojat e tregut të punës”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, Infrastruktura arsimore do të modernizohet dhe riorganizohet për shfrytëzim më efikas.

“Fokusi do të jetë në cilësinë në arsim në kabinete, salla të ed fizike, biblioteka, laboratorë punëtori etj”, tha ai.

Hoti po ashtu para deputetëve tha se si plan do të jetë edhe zgjerimi i rrjetit të edukimit parafillor.

“Edukimi I hershëm është parakusht për zhvillimin e fëmijëve, do të punohet në zgjerimin e rrjetit të edukimit parafillor në çdo komunë. Për këtë qëllim do të hapen klasat para fillore në të gjitha shkollat e Kosovës. Për moshat 2-4 vjeç, Qeveria do të investojë në hapjen e institucioneve të reja parashkollore dhe do të krijojë partneritetit publike dhe private”, tha ai.

Sipas tij, shkollat do të kthehen në qendër për zhvillimin e komunitetet, duke përkrahur punën e aktivitetit profesional dhe shërbime profesionale si pedagogë, psikologë, punëtor social, këshilltar për karrierë, pastaj duke fuqizuar koordinator të cilësisë,

“Pastaj duke siguruar kujdestarë të klasave dhe duke përkrahur mësimdhënësit e përkushtuar”, tha ai.

Hoti u zotua se drejtorët e shkollave do të kenë kontratë të përhershme.

“Performanca e tyre do të matet nga suksesi i nxënësve dhe shkollës.  Në shkollat fillore do të nis zbatimi selektiv i mësimit gjithë ditor, duke përgatitur fëmijët me programe moderne me klube teknike artistike e shkencore.  Shkollat kështu do të shndërrohen për aktivitete komunitore e rinore”, shtoi më tej ai.

Një ndër planet e Hotit është edhe arsimi profesional.

“Arsimi dhe aftësimi profesional do të shndërrohen në bartësin kryesor të punësimet të të rinjëve. Në klasën e 10 dhe 11 nxënësit do të angazhohen në mësim në klasë dhe në punë praktike në ndërrmarrje, në klasën e 12-të do të krijohen të gjitha parakushtet për punësimin e nxënësve”, tha ai.

“MAShT do të krijojë qendra për punë dhe ndërmarrësi në kuadër të shkollave profesionale të qendrave të kompetencës. Shkollat profesionale do të mund marrin mbështetje financiare dhe profesionale për të plotësuar nevojat e tregut të punës”, shtoi më tej Hoti.

Hoti po ashtu tha se në të gjitha qendra e mëdha të Kosovës, shkollat e Kosovës do të shndërrohen në kampuse të përbashkëta shkollore.

“Derisa hapësirat shkollore do të lirohen për shkollat 9 vjeçare. Nëpërmjet kësaj mase do të zvogëlohet numri i nxënësve në klasë dhe rrjedhimisht do të ngritët cilësia në arsim”, theksoi i mandatuari për kryeministër.

Hoti siguroi se do të ketë gjithëpërfshirje të komunitetit jo shumicë në arsim.

“Qeveria do ti ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar gjithë përfshirje në arsim për komunitetet jo shumicë. Do të punohet ngushtë me të gjitha komunitetet për integrimin e tyre në sistemin arsimor të rregullt, përfshirë në masën e parandalimit të braktisjes së arsimit”, tha Hoti.

I mandatuari për kryeminstër tregoi edhe planin për universitet publike rajonale.

“Do të punohet në profilizimin e universiteteve publike që janë të vendosura në regjione, në afat 3 vjeçar, duke ndaluar ofrimin e programeve të njëjta. Përveç kësaj do të inkurajohen studentët për të aplikuar në programet aplikative me punësueshmëri të lartë”, tha Hoti.

Kurse për shkencën, Hoti tha se do të fuqizohet Këshilli Kombëtar i Shkencës,  do të miratohet programi nacional i shkencës, si dhe do të krijohet fondi për ekselencë dhe hulumtime shkencore si dhe fondi i përsosmërisë.

“Reformat arsimore do të mundësojnë integrimin më të mirë të nxënësit dhe studentëve me nevoja të veçanta, grupeve të pa favorizuara, femrave dhe fëmijëve nga familjet me gjendje të vështirë ekonomike”, tha në fund Hoti.