Autobusët e rinj të Trafikut Urban të Prishtinës - Foto: Facebook

Planet e Prishtinës për trafikun urban, pritore të reja e deri te makinat për bileta

Në fund të vitit të kaluar komuna e Prishtinës njoftoi për projektin për vendosjen e pritoreve të reja me orare në stacionet e autobusëve.

Kjo në kuadër të projektit të hartimit të planit të mobilitetit të qëndrueshëm, përfshirë këtu edhe pagesën për parkingjet e ndara në tri zona.

Kontrata për kryerjen e këtyre punimeve kap vlerën prej 292,500.00 mijë euro, me një afat prej 36 muajsh.  Punimet për vendosjen e këtyre pritoreve do i kryejë kompania ‘Selmans Network Sh.p.k.’

Komuna e Prishtinës  ka treguar për KALLXO.com se kryeqyteti do të furnizohet me 150 pritore, nga 50 prej secilit tip A,B,C.

Tipi A është zona e qendrës, Tipi B janë lagjet Ulpiana, Dardania dhe zona e spitaleve, kurse Tipi C janë pjesët periferike të qytetit.

Rrjeti i ri i cili do jetë pjesë e zgjerimit do të lidh më shumë zona rurale dhe zona periferike të qytetit me qendrën kryesore urbane.

Gjithashtu vendosja e masave prioritare për autobusë, duke përfshirë ndarjen fizike përmes përdorimit të korsive të autobusëve në seksionet e përzgjedhura të rrugës kryesore.

Zhvillimi i vend ndaljeve për autobusë, si dhe futja e informacioneve në kabina për orare dhe lokacione të autobusit.

Ky plan ka për qëllim të krijojë një rrjet të integruar të autobusëve që lidh zonat e qytetit që janë në rritje.

Gjithashtu është propozuar zhvillimi i një linje të re të transportit publik “mbi shina”, duke rehabilituar hekurudhën ekzistuese nga Fushë Kosova deri në Prishtinë.

Edhe pse sipas zyrës për media në Komunën e Prishtinës ky koncept është ende në zhvillim e sipër.

Derisa përmirësimi i flotës së autobusëve që kishte filluar në vitin 2017 është ende në proces të modernizmit.

Pjesë e strategjisë për modernizim të mëtejshëm të shërbimeve publike janë edhe aparatet për blerjen e biletës së autobusëve në rrugë, që është metodë shumë e përdorur në qytete evropiane, si dhe është propozuar edhe blerja e biletës më anë të një aplikacioni të autobusëve ‘Bus App’.