
Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.
Planet e PDK-së për tkurrjen e listës së pritjes së pacientëve dhe rregullimin e çmimit të barnave
Lista e gjatë e pritjes për marrjen e shërbimeve mjekësore në Sistemin Publik Shëndetësor është një prej sfidave për qytetarët e Kosovës. Shkaku i pritjeve të gjata, shumë prej tyre detyrohen të zgjedhin një rrugë tjetër për trajtim.
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Pleurat Sejdiu, gjatë emisionit “Debat Përnime”, më 22.01.2025, përmendi faktorët që e bëjnë listën pritjes të gjatë.
Me këtë rast, ai dha edhe propozimin për zgjidhjen e këtij problemi.
Sipas tij, investimet në shërbime dhe risistematizimi i forcës së punës ndikojnë në zvogëlimin e kësaj liste.
“E para, mungesa e stafit të mjaftueshëm të profesionalizuar; e dyta, mungesa e shërbimeve në nivel rajonal dhe konvertimi në Prishtinë; dhe, e treta aparaturat. Një pjesë e shërbimeve që duhet të kryhen në Spitale rajonale, por mungojnë furnizimet bazike të atij Spitali, e bën që të ngarkohen dhe niveli terciar. Kështu, shumica e intervenimeve janë në pritje. Atëherë, ndodh që i jepet prioritet një traume dhe shkaktohen këto pritje.” – tha Sejdiu.
Ndërsa, Fatbardh Rexha foli edhe për Ligjin e Rregullimit të Çmimit të Barnave.
“PDK e vlerëson se Kosovës i duhet një Ligj i tillë për Rregullimin e Çmimit të Barnave, megjithatë ai duhet të ketë një qasje më të kujdesshme – duke u siguruar që çmimi i barnave të jetë koherent në raport me çmimet e tregut në Kosovë.” – ka thënë Rexha.
Ndër të tjera, ai tha se tregu i barnave farmaceutike duhet të ketë një qasje liberale dhe të rregullohet konform tregut të Kosovës, e jo të merren si referencë vendet e tjera.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.
E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
Planet e PDK-së: Digjitalizim e rritje pagash në shëndetësi dhe Memorial të Gjenocidit në Prishtinë