
Kandidati e PDK-së Granit Berisha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Planet e PDK-së për investime në rajonin e Anamoravës
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Granit Berisha, në emisionin “Debat Përnime”, ka folur për investimet që i kanë paraparë në kuadër të programit zgjedhor për rajonin e Gjilanit (06).
Projekti i parë që do të trajtohet më prioritet nga PDK, sipas tij, do jetë përfundimi i autostradës së Gjilanit.
“Përfundimi i autostradës si dhe kontraktimin i segmentit të dytë nga Bresalci deri të Dheu i Bardhë, që është shumë me rëndësi për qytetarët e Kamenicës dhe Anamoravës”- tha Berisha.
Pas përfundimit të kësaj autostrade, për qytetarët e Kamenicës u premtua se do të ndërtohet një rrugë e cila do të lidhë direkt me autostradën e Gjilanit.
“Fillimisht duhet të bëhet përfundimi i segmentit prej Bresalcit deri te Dheu i Bardhë, që jam i bindur që do të ndodhë gjatë dy ose tri viteve të qeverisjes së Bedri Hamzës. Pas përfundimit të autostradës mund të fillojë ky segmenti që ka me lidhë qytetin e Kamenicës me autostradën deri të Dheu i Bardhë”- tha Berisha.
Një investim tjetër që pritët të bëhet në këtë rajon është edhe ndërtimi i Parkut të Biznesit, që sipas Berishës, do të jetë një “mundësi e mirë për kompanitë prodhuese”.
“Ndërtimi i një Parku të Biznesit afër pikës kufitare, për shkak të korridorit të Dheut [të Bardhë] dhe lidhjes me Europën, mendoj që ka me qenë me shumë interes për kompanitë prodhuese”- tha ai.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: