Kandidatët e LDK-së Shkëmb Manaj dhe Armend Zemaj. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Planet e LDK-së për investime në infrastrukturë dhe turizëm në Rrafshin e Dukagjinit

Kandidatët për deputetë nga LDK-ja, Armend Zemaj dhe Shkëmb Manaj, gjatë “Debatit Përnime”, më 03.02.2025, kanë shpalosur projektet që i kanë paraparë me programin zgjedhor për zhvillimin e rajonit të Dukagjinit, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës dhe turizmit.

Zemaj ka theksuar se një nga prioritetet kryesore të LDK-së është autostrada e Dukagjinit.

Ky projekt, sipas tij, do të përfundojë duke e lidhur Deçanin me pjesën qendrore të Kosovës.

Ai gjithashtu ka përmendur rrugën e Plavës, si një mundësi për të lidhur rajonin më afër Malit të Zi.

Projekt tjetër, sipas Zemajt, është Qendra e Skijimit në Bjeshkët e Belegut, për të cilën ai ka propozuar një studim fizibiliteti.

“Në një të ardhme të afërt do të siguronte një investim madhor dhe nuk do ta kishim vetëm një Brezovicë, por edhe një tjetër”- ka deklaruar Zemaj, duke theksuar mundësitë që ky projekt mund t’i sjellë për turizmin në vend.

Ndërsa kandidati tjetër që vjen po nga ky rajon, Shkëmb Manaj, për projektin e autostradës Prishtinë-Pejë tha se Qeveria aktuale e ka kthyer mbrapa duke tentuar të bëjë ndryshime.

“Kjo qeveri na ka kthyer mbrapa sepse ka tentuar që pjesën prej Kijevës në Zahaq vetëm ta zgjerojë, duke hequr elementet e autostradës”-  ka thënë Manaj, duke u zotuar se qeverisja e LDK-së do të ndërtojë këtë autostradë.

Ai ka përmendur edhe zgjerimin e rrugës regjionale Rozhajë-Pejë, një projekt që krijon lidhje më të ngushta me Mali i Zi, si dhe ndërlidhjen e Deçanit me Plavën. Manaj ka shpalosur edhe planin për zgjerimin e magjistrales Istog-Pejë-Deçan-Junik-Gjakovë-Prizren, për të siguruar një lidhje më të mirë me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Si pjesë  të programit të LDK-së për turizmin, Manaj i ka përmendur projektin e Moknës në Komunën e Istogut dhe projektin e Boreas. Bashkëpartiaku i tyre, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri premtimin për “Borean” e kishte bërë në vitin 2017, atë kohë kur garonte edhe për një mandat për kryetar komune. Megjithatë, ky projekt ende nuk është jetësuar.

Me ardhjen e LDK-së në pushtet, sipas Manajt edhe qendra e Klinës do të bëhet më ujë të pijshëm.

Po ashtu, ai ka përmendur projekte të tjera për menaxhimin e ujërave dhe trajtimin e ujërave të zeza.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë television transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime”  në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e LDK-së: Kthim të RTK-së te publiku, reformë në administratë dhe meritokraci në institucione