Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planet e kandidatëve të Malishevës për digjitalizimin e shërbimeve komunale

Kandidatët për kryetar të komunës së Malishevës kanë treguar planet e tyre për digjitalizimin e shërbimeve komunale në këtë komunë.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi ka thënë se shërbimet komunale do t’i digjitalizojë përmes sistemit One Stop Shop.

“Në administratë ne do të ofrojmë digjitalizim. Do të krijohet sistemi tashmë i njohur One Stop Shop ku qytetarët do të mund t’i kryejnë punët pa pasur nevojë të trokasin nëpër dyert të zyrtarëve. Do të krijojmë dy e-kioska, një në Malishevë dhe një në Kievë ku qytetarët do të mund të marrin 5 dokumentet kryesore. Do të hapim dy zyre të reja, një për bujqit dhe një për bizneset”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër kandidati Bajrush Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se në qeverisjen e tij do të barten zyret e ofiçarisë edhe në tri bashkësi lokale tjera.

“Shërbimet publike dhe administrative duhet të digjitalizohen dhe të përgatitet personeli që qytetarët të mos presin mbi dy orë për një dokument. Përpos kësaj zyrat e ofiçarisë mund të barten edhe në qendrat e tjera të bashkësive lokale dhe mund ta kemi një Kievë, një në Bellanicë dhe një në Drenoc”, ka thënë Hoti.

Kandidati Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se digjitalizimi i shërbimeve komunale nuk është i kushtueshëm dhe mund të bëhet shumë lehtë.

“Malisheva ka një administratë të mirë dhe njerëz të zotë. Digjitalizimi i sistemeve të pajisjes së dokumenteve mund të bëhet shumë shpejt me vendosjen e dy e-kioskeve dhe me mjete të pakta”, ka thënë Kilaj.

Kurse kandidati i AAK-së për kryetar të Malishevës, Kastriot Berisha ka thënë se personelit në administratë duhet t’u kërkohet llogari në mënyrë që të ketë shërbime efikase.

“Stafi, menaxhimi dhe ana politike nuk u kërkohet llogaridhënie sepse nuk ka asnjë në administratë që nuk është politik”, ka thënë Berisha.

Ndërsa kandidati tjetër për kryetar të Malishevës, Selajdin Bytyçi, kandidat i pavarur, ka thënë se do të shtohen shërbimet digjitale e po ashtu edhe mjetet e reja digjitale.

“Në qeverisjen time do të kenë trajnime më të shpeshta në mënyrë që të punojnë më mirë me mjetet digjitale. Po ashtu edhe duhet të pajisen me mjete të reja digjitale në mënyrë që të mos presin shumë qytetarët”, ka thënë Bytyçi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Malishevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetarë të komunës së Malishevës, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Bajrush Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Kastriot Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selajdin Bytyci, kandidat i Pavarur. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Malishevës: Marigona Ramaj AAK, Sadije Krasniqi LVV, Trëndelinë Begaj LDK.

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.