Planet e Driton Ajazit për Drenasin

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas në mbledhje të saj më 5 qershor i dha mbështetjen Driton Ajazit për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në tetor.

Zyrtarizimi i kandidaturës së tij është ende në pikëpyetje pasi niveli qendror i PDK-së po e përkrah kryetarin aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovcin.

Driton Ajazi në një intervistë për “KALLXO Përnime” ka shpalosur planet e tij në rast se arrin të bëhet kryetar i Komunës së Drenasit.

“Nëse do të jem kryetar i Drenasit, do ta rikthej besimin e qytetarëve në Komunën e Drenasit. Komuna do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, investitorët, intelektualët, ata njerëz që kanë vullnet ta zhvillojnë Drenasin. Unë e mbaj një punë, nuk vij këtu për aspekt personal. Unë i kam hy kësaj gare për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Drenasit, sepse gjatë pesë viteve të fundit, gjithçka ka ngecur, është ngulfatur. Nuk kemi asnjë investitor. Me ardhjen time do të jem i hapur për të gjithë, kush dëshiron të investojë në Drenas do të jem i hapur 24 orë në dispozicion për t’i ofruar infrastrukturën, që të ketë edhe rritje dhe hapje të vendeve të punës”, tha ai teksa shtoi edhe çështjen e problemit me ujë të pijës me të cilën përballen banorët e Drenasit.