Plagosje e trefishtë në Prishtinë

Tre persona janë plagosur si pasojë e përleshjes mes vete në të cilën janë përdorur edhe armët e zjarrit. Ngjarja, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” të lagjes “Mati 1” pak para mesnates.

“Rreth orës 23:15, është pranuar informata për një rast të plagosjes me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para  dyshohet për tre persona të plagosur nga arma e zjarrit. Të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci për KALLXO.com.

Lidhur me rastin, deri më tani Policia ka identifikuar së paku një person të dyshuar, thotë Borovci, ndërkaq shton se kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.