Foto: KALLXO.com

Plagosja pas pyetjes: "A do të votosh Gazmendin e LDK-së?", i akuzuari e pranon fajësinë

Bashkim Racaj ka dalë para Gjykatës së Pejës për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë për plagosjen e Sezair Belegut.

Ky rast ka ndodhur më 11 tetor të vitit të kaluar në Pejë.

Racaj e pranoi fajësinë për këtë vepër penale dhe u shpreh i penduar për ngjarjen.

“Po, e pranoj, jam i penduar deri sa të kem frymën gjallë. Ai ka qenë njeriu ma i mirë në botë për mua”, tha ai kur u deklarua për fajësinë.

Në anën tjetër prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, i propozoi Gjykatës që të refuzojë pranimin e fajësisë të të pandehurit, me arsyetimin se në këtë çështje duhet të dëgjohet edhe një herë eksperti i psikiatrisë.

“Dëgjimi i ekspertit lidhur me këtë rast është mëse i domosdoshëm edhe njëherë për të na u përgjigjur në disa pyetje që kanë të bëjnë me sëmundjen nga e cila lëngon i akuzuari, ashtu siç e ka përshkruar eksperti në raport, e po ashtu na nevojitet edhe përgjigjja se a ka nevojë i akuzuari të këtë ndonjë trajtim me të veçantë në aspektin psikiatrik”, tha prokurorja.

Mbrojtësi i të pandehurit Racaj, avokati Asdren Mekaj, po ashtu i propozoi gjyqtarit që pranimi i fajësisë i bërë nga i mbrojturi i tij të refuzohet pasi që sipas tij pranimi i fajësisë së klientit të tij nuk shpreh vullnetin e tij.

“Konsultimi me mbrojtësin nuk do të thotë se ai e kupton procedurën. Është e vërtetë që i pranon veprimet, por këto veprime janë të kryera në një gjendje të zvogëluar të aftësisë mendore, andaj konsiderojmë që i mbrojturi im ka nevojë për trajtim”, tha ai.

Mekaj shtoi se mbrojtja heq dorë nga kundërshtimi i aktakuzës dhe provave, duke kërkuar që çështja të kalojë në shqyrtim kryesor, ashtu që të dëgjohet eksperti i psikiatrisë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Murat Hulaj, përmes aktvendimit e refuzoi pranimin e fajësisë nga i pandehuri.

Ndërsa i dëmtuari nuk e pranoi kërkimfaljen e të pandehurit, duke kërkuar që i pandehuri të tregojë arsyet pse e ka plagosur.

“Ky fajin e pranoi se e ka bo, nuk e di pse e ka bo, pse erdh ma futi plumb pa i bo send, a e ka shti najkush…”, tha Belegu.

“Nuk m’ka shti kurrkush, çka të doni boni me mua”, tha në anën tjetër i pandehuri Racaj.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 9 shkurt.

Dosja e Prokurorisë thotë se i pandehuri më të dëmtuarin ishin takuar atë ditë, ku i dëmtuari i ishte drejtuar atij me fjalët: “A don me votu në këto zgjedhje për Gazmendin e LDK-së?”, ndërsa i pandehuri i është drejtuar me fjalët: “Ti e din se unë nuk e ndërroj me askënd Ramush Haradinajn”.

Pastaj, sipas aktakuzës, i pandehuri nuk është ndjerë mirë për shkak të fjalëve që ia kishte thënë i dëmtuari, duke marrë kështu armën dhe niset për te lokali i të dëmtuarit, dhe njëherë gjuan në ajër e më pas gjuan dy herë në drejtim të të dëmtuarit duke e plagosur në shpinë.

I pandehuri pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kalimtarët e rastit e kanë dërguar të dëmtuarin në spital.