Plagosja në Prishtinë, prokuroria jep detaje

Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri  pasditen e së premtes në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë së Shtetit, autori i plagosjes ende nuk është identifikuar, ndërsa Policia bashkë me Prokurorinë janë duke punuar për kapjen e të dyshuarit.

“Për momentin ajo çka mundemi me thënë është se një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri, i cili është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore, i cili është jashtë rrezikut për jetë. Jemi duke punuar për identifikimin e të dyshuarit dhe policia është duke grumbulluar provat në vendin e ngjarjes”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ajo ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga departamenti i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore.

Ndërsa sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Bregu i Diellit’, në kryeqytet, rreth orës 16:30.

“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast  një person është plagosur, dhe i njëti është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për  sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Plagoset një person në Prishtinë