Arkiv: Lista Serbe, Foto: REL

Plagosja në Leposaviq - Lista Serbe i reagon ambasadorëve të Quintit

Lista Serbe ka reaguar lidhur me plagosjen e një qytetari të komunitetit serb në Leposaviq, për të cilin rast po dyshohen se kanë qenë të përfshirë 4 policë të Kosovës.

Ata janë shprehur të shqetësuar që Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier është shprehur i shqetësuar për këtë rast.

“Në vend që të dënojë qartë tentativën e vrasjes së Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në Urën e Bistricës, ai është i shqetësuar!?” – ka shkruar Lista Serbe në Facebook.

“Vetëm pasi Lista Serbe reagoi dhe theksoi se Milan Jovanoviq ishte viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të Kurtit që ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës dhe Metohisë, pasdite vonë i shqetësuar z. Hovenier foli dhe bëri këtë deklaratë të turpshme që minimizon përgjegjësinë e atyre që derdhën gjakun serb” – thuhet tutje.

Sipas tyre, ky nuk është rasti i parë i tillë. Ata kanë përmendur rastin e djegies së një makine, për të cilën kanë thënë se nuk është përcaktuar përgjegjësia e askujt, mirëpo kanë reaguar të gjitha ambasadat e Quintit, misionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Ata kanë vazhduar duke thënë se kur qëllohet një civil, baba i tre fëmijëve, nuk ka asnjë dënim nga ambasadorët e Quintit dhe as kërkesa për të ndalur sulmet ndaj qytetarëve të pafajshëm serbë.

Për këtë, ata thonë se ambasadorët e Quintit po bëjnë të kundërtën e asaj që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara për incidentin në veri të Kosovës më 10 prill, në të cilin dyshohet të jetë plagosur një pjesëtar i komunitetit serb.

Policia e Kosovës ka thënë më 11 prill se i ka suspenduar katër zyrtarë policorë, që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast, përfshirë njërin që mund të ketë shtënë me armë zjarri. Ata janë duke u intervistuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Kjo gjë e ka shqetësuar Ambasadën amerikane në Prishtinë, e cila ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas tij, “të gjithë personat përgjegjës për këto veprime kriminale, duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Këta janë policët e dyshuar për plagosjen në Leposaviq