Foto-ilustrim

Plagosja e trefishtë në Pejë, Gjykata mori vendim për të pandehurin

Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.Rr. i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë.

Rasti, sipas njoftimit të Gjykatës, ka ndodhur më 2 janar rreth orës 21:00 në Pejë.

Sipas komunikatës, i pandehuri me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme mes tij dhe të dëmtuarve Sh.D., A.D. dhe F.D., i pandehuri ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.D.

Gjithnjë sipas komunikatës së Gjykatës, pas fjalosjes dhe përleshjes mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, i pandehuri në një moment nxjerr pistoletën nga brezi dhe shtie në drejtim të të dëmtuarve duke u shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën, e pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime i pandehuri M.Rr. dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje e mbetur në tentativë, lëndim i rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji pasi që Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen tre të dëmtuarit e pas shikimit të video-incizimit eventualisht mund të dëgjohet edhe ndonjë dëshmitar që ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe me faktin se me gjetjen e të pandehurit në liri, ka arsye për të besuar se i njëjti mund të asgjësojë, fshehë apo të ndryshojë provat e veprës penale.

Gjithashtu, pesha e veprave të kryera penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale në qendër të qytetit ku frekuentohet nga një numër i madh i njerëzve si dhe raportet e acaruara mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundojë veprën e tentuar penale apo të kryejë ndonjë vepër të natyrës së njëjtë, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Pejës.

Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.