Ilustrim: Naser Fejza
Plagosja e gruas në Fushë Kosovë, Policia arrestoi edhe personin që mori armën për ta larguar nga vendngjarja
Për rastin e plagosjes së gruas nga bashkëshorti i saj në Fushë Kosovë i arrestuar mbeti edhe një person i dytë.
Në raportin e sotëm 24-orësh (07.08.2024) policor është thënë se në pranga të Policisë është vënë edhe një burrë tjetër që dyshohet se mori armën për ta larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas këtij raporti, e gjithë ngjarja ka ndodhur më 06.08.2024 në 07:33h.
Burri dyshohet se kishte shtënë më armë në drejtim të gruas së tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Ai u arrestua nga ana e Policisë, e i arrestuar më pas mbeti edhe personi i dytë që dyshohet se ka marrë armën e cila është përdorur, për ta larguar nga vendi i ngjarjes.
PK tha se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.
Policia tregoi se pistoleta me tre fishekë dhe tri gëzhoja është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e burrit të dyshuar për plagosjen e bashkëshortes së tij në Bresje të Fushë Kosovës.
Në njoftimin e Prokurorisë u shpjegua se si burri me inicialet I. A., ishte arrestuar më datë 02.08.2024 si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Prokuroria tha se më 04.08.2024 prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I. A..
“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak” – thuhet në njoftim.
Tutje u shtua se gjykata kishte refuzuar propozimin e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.
Prokuroria tha se gjykata ndaj të pandehurit I. A. kishte caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Tutje u tha se sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I. A. është arrestuar me dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Gjithashtu u njoftua se i njëjti dyshohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillja e gjykatës”.
Prokuroria tha se në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe ka vizituar të dëmtuarën e rastit.
Në njoftim u shtua se ndaj të pandehurit është lëshuar Aktvendim mbi ndalim.