Plagosja e dy policëve në Skenderaj, arma e sekuestruar është e njërit prej zyrtarëve policorë

Një armë është sekuestruar nga ngjarja e cila ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Skenderaj ku dy zyrtarë policorë morën lëndime, njëri nga ta u plagos në këmbë me armë zjarri.

Në rast janë përfshirë ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe tre familjarë të tij.

KALLXO.com merr vesh se një armë, e cila është sekuestruar nga rasti, është e njërit nga zyrtarët policorë që ishin të përfshirë në rast.

E njëjta do të ekzaminohet ndërsa ende nuk është bërë e qartë se si ndodhi plagosja e policit në këmbë.

Në një bisedë telefonike për KALLXO.com, Ismet Ujkani, kryeprokuror i Prokurorisë në Mitrovicë, tha se është ende heret të flitet në lidhje me rastin për shkak se duhet të trajtohet edhe më tutje.

“Nuk jam i kyçur në rast por me sa di është sekuestruar një armë. Pritet që të zbardhet rasti gjatë hetimeve”, tha Ujkani për KALLXO.com.