Foto: Ilustrim

Plagosja e djalit 6 vjeçar nga babai, ekspertiza përshkruan plagët

Ishte 10 gushti i këtij viti kur djali 6 vjeçar i familjes Sh. nga një fshat i Prishtinës ishte plagosur me armë zjarri në kokë.

Prokuroria e Prishtinës po e akuzon babain e 6 vjeçarit për plagosjen e fëmijës nga pakujdesia.

Familja Sh. kishin ardhur nga Suedia për pushime në Kosovë.

Sipas prokurorisë,  i akuzuari R. Sh. duke e pastruar pistoletën me ngjyrë të zezë në dhomën ku ishin duke luajtur dy fëmijët e tij nga pakujdesia i kishte shkrepur arma dhe e kishte plagosur djalin e tij  në regjionin e kokës.

Lidhur me plagosjen ishte përpiluar ekspertizë mjekoligjore nga eksperti Naim Uka.

Sipas tij, i dëmtuari  R.Sh kishte marrë plagë tejshkuese nga arma e zjarrit  në  regjionin ballor,  me tejshkim në regjionin e pasëm të kokës (plumbi ka kaluar nga balli dhe ka thyer kockat ballore dhe më pas ka dalur nga ana e pasme e kokës) .

Gjithnjë sipas ekspertizës mjekoligjore, fëmija ka pësuar edhe thyerje të kocave ballore të dy anëve dhe kockave tëmblore të anës së djathtë.

Sipas ekspertit, dëmtimet e tilla bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Ndërsa  sipas  raportit  të  Institutit Psikiatrik  të  përpiluar  nga doktorët Jeton Zogaj, Ajet Bunjaku dhe Gani Halilaj rezulton se i akuzuari R.Sh në momentin e kryerjes së veprës penale nuk ka pasur çrregullime psikike e as prapambetje trurore.

Sipas këtij raporti i akuzuari R.Sh është i aftë të konsultohet me persona të tjerë përfshirë mbrojtësin e tij si dhe të përballet me gjykimin.

I akuzuari ka hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë për plagosjen e rëndë.

Babai e pranon fajin për plagosjen e të birit 6 vjeçar