Plagosja e 6 qytetarëve në xhami, çështja i kalon për hetim antiterrorit

34-vjeçari, Rudolf Nikolli, nga Burreli hyri dje në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës dhe qëlloi me thikë 6 besimtarë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht gjatë aktit të lutjes dhe pasi doli nga xhamia, autori tentoi të godiste edhe njerëzit në rrugë, por më pas u neutralizua nga qytetarët.

Burime për gazetarin e Top Channel, Andi Bora, bëjnë me dije se ky rast i rëndë do të hetohet tashmë nga Drejtoria e antiterrorit, sepse kualifikohet për veprën penale më të rëndë. Megjithatë, rasti mund të ndryshojë rrugës në varësi të hetimeve. Deri tani nuk ka arsye për ta konsideruar këtë akt, një sulm terrorist.

Nga 6 të plagosurit, njëri prej tyre është i dëmtuari më rëndë, pasi mori goditje në pjesën e mesit. Pesë të tjerë, të identifikuar si Donald Koçi, Mariglen Konja, Kleon Jaupaj, Anri Tola, Saba Peposhi ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Top Channel