Plagoset një person në Prishtinë, arrestohen tre të dyshuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është plagosur si pasojë e gjuajtjeve me armë në Prishtinë.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 03:00 në rrugën “Rinia” në kryeqytet.

Tutje është thënë se viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor.

“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit”, thuhet nga Policia.

Policia ka njoftuar se për rastin në fjalë janë arrestuat tre persona, njëri nga ta i mitur dhe një tjetër shtetas i huaj.

“Thellimi i hetimit policor me synim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve ka rezultuar me kapjen e tyre nga ana e policisë dhe për rrjedhojë me aktvendim mbi ndalimin e personave të arrestuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit tre të dyshuarit e përfshirë në rast; Sh.S., 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,​ A.A., 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe S.A., 30 vjeç, shtetas i huaj”, thuhet në njoftim.

Te arrestuarit njoftohet se ​janë dërguar në mbajtje në dyshimet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe “Mbajtje në pronësi në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të forcave të rëndit dhe sigurisë, në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një revole të tipit TT, të kalibrit 7.62 mm, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast si dhe një copë fishek të kalibrit të njëjtë.