Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Plagoset një person në Gjakovë, Policia jep detaje rreth rastit

Një person është plagosur sot, më 08.12.2024, në 12:25h në rrugën Morinë-Gjakovë, në fshatin Nec.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Elezaj tha se fillimisht janë njoftuar se një shtetas shqiptar, i moshës rreth 28-vjeçare, ishte dërguar në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë me lëndime të shkaktuara nga armë zjarri.

Ai shtoi se sipas informatave të para, viktima ka raportuar se gjatë lëvizjes me veturë në rrugën Morinë-Gjakovë, është ndalur nga dy persona të panjohur, të cilët sipas viktimës fillimisht e kanë sulmuar me mjet të fortë dhe më pas me armë zjarri.

“Nga personeli mjekësor, jemi njoftuar se viktima aktualisht është jashtë rrezikut për jetën” – tha zëdhënësi i policisë.

Po ashtu, ai tregoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e nevojshme policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme hetimore, me ç’rast edhe janë gjetur tre fishekë dhe dy gëzhoja.

Lidhur me këtë ngjarje, Elezaj shtoi se është njoftuar prokurori për krime të rënda, me vendimin e të cilit është iniciuar rasti vrasje e mbetur në tentativë.

Zëdhënësi gjithashtu njoftoi se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar të dyshuarit.