Ilustrim
Plagoset në dasmë djali i deputetit nga Tetova
Festimi me të shtëna me armë zjarri në një dasmë në Tetovë për pak sa nuk u shndërrua në tragjedi, pasi u plagosën dy djem të rinj.
Lëndime morën 27 vjeçari A.B. dhe 26 vjeçari F.A.
Dy të lënduarit menjëherë janë dërguar në urgjencën e Tetovës, ndërsa më pas janë transferuar në spitalin e Shkupit.
Njëri nga të lënduarit është edhe djali i deputetit Xhevat Ademi, i cili ishte i pranishëm këtë aheng.
“Dy të lënduarit ishin të lënduar në pjesën e gjoksit, dhe më pas njëri nga të lënduarit ka qenë pak më rëndë i lënduar është dërguar menjëherë për në Shkup, ndërsa tjetri pas ekzaminimeve këtu tek ne edhe tjetri është përcjellë për në klinikën e Shkupit. Në komunikimin tonë me spitalin e Shkupit na njoftuan se dy të lënduarit janë në gjendje stabile”, tha Ylber Besimi, drejtor i Repartit Kirurgjikal.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk e dinë se kush ka shtënë, por thonë se rasti po hetohet.
“Mbrëmë fatkeqësisht kemi dy të lënduar në një aheng familjar, e di që ka marr pjesë edhe një deputet të gjitha faktet dhe argumentet nga vendi i ngjarjes do të sistematizohen dhe do të dërgohen tek prokuroria publike me qëllim që të zbardhet rasti”, tha Oliver Spasovski.
Deputeti Xhevat Ademi nuk deshi të prononcohet për rastin.
Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, apelojnë që në ahengjet familjare mos të përdoren armë zjarri, me qëllim që të mos rrezikohet jeta e njerëzve.
Për gjuajtje me armë në ahengje, gjoba është prej 200 deri 500 euro./TV21