Plagosen dy persona në Shtërpcë me armë zjarri

Dy persona dyshohet se janë plagosur me armë zjarri nga një person ose disa persona të panjohur të cilët u thanë se ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje.

Automjeti u tha se po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe se personat e lënduar janë një 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar.

Ngjarja sipas njoftimit të Policisë së Kosovës ka ndodhur sot rreth orës 15:19 në fshatin Drajkovc të Shtērpcës.

“Dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës.

“Të dy të plagosurit nga informacionet që kemi janë jashtë rrezikut për jetë. Janë marrë të gjitha veprimet nga policia , policia e rendit e më pas hetuesit policor dhe krimtekniket nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se janë nisur hetimet dhe se janë në kërkim të kapjes së personave të dyshuar.

Policia gjithashtu ka treguar se aktualisht rruga që të dërgon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes.

Sot gjatë ditës, në redaksinë e KALLXO.com janë dërguar disa fotografi ku shihet një grumbull qytetarësh të mbledhur në rrugën Shtërpcë-Ferizaj.

Në këtë foto po ashtu është parë që qytetarët mbanin në duar një flamur të hartës së Kosovës me flamurin e Serbisë brenda saj.