Foto:KALLXO.com

 Plagët nga lufta ‘të shëruara’ në një libër faktografik

Në një libër autentik janë mbledhur fotografi, të dhëna, shkrime e fakte tjera që faktojnë dhunën që është ushtruar ndaj pacientëve dhe personelit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë periudhës 1998-1999, nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Mjeku dhe dëshmitari okular i dhunës ndaj pacientëve dhe personelit mjekësor gjatë luftës në Kosovë, Salih Krasniqi ka përmbledhur në faqet e librit, “Krimet e luftës kundër pacientëve dhe personelit mjekësor, të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në QKUK gjatë periudhës 1998-1999”,  faktet që dëshmojnë dhunën që është ushtruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Libri i promovuar të premten në ‘Hotel Grand’ në Prishtinë përfshinë fakte nga periudha kohore 1 maj 1998 — 20 qershor 1999. Në libër prezantohen emrat e pacientëve të pranuar në spital, diagnozat e tyre dhe peripecitë e tyre, që ua kishte shkaktuar forca policore dhe ushtarake serbe brenda QKUK-së, atëkohë i quajtur Spitali i Prishtinës.

Në mesin e një audience të gjerë, edhe pse vet nuk arriti ta prezantojë punën e tij deri tek libri për shkak të vështirësive në të folur dhe lotëve që nuk arrinte t’i mbante, fjalimi i Salih Krasniqit i lexuar nga tjetër kush, shpërfaqi punën që e ka mbledhur në libër.

Foto: KALLXO.com

“Në mesin e pacientëve gjenden shumë persona që janë plagosur, keqtrajtuar, rrahur e lidhur për krevat dhe radiatorë, të cilëve iu fikën cigaret në duar e në trup, të vrarë te zhdukur e shumë të tjerë”, u tha në fjalimin e Krasniqit.

Poashtu  gjatë fjalimit të tij u tha se në evidencat e pasqyruara rezultojnë shumë pacientë për të  cilët nuk disponojnë të dhëna të plota, që sipas tij me gjasë janë bërë me qëlllim nga përgjegjësit serb.

Krasniqi këtë libër e konsideroi si një studim autentik dhe drithërues mbi gjenocidin serb ndaj personelit mjekësor dhe pacientëve të hospitalizuar.

Libri përmban protokollin e rreth 6 mijë pacientëve të trajtuar në Kirurgji dhe Ortopedi në vitin 98 që janë 4500 pacientë, kurse në vitin 99 janë 1500 pacientë.

Në këtë protokoll përfshihen grupmosha nga fëmijë të porsalindur deri në 88 vjeçarë, me diagnoza të ndryshme prej të plagosur nga granatimet apo me armë zjarri.

I torturuari në Spitalin e Prishtinës, Shaip Loshi tregoi rrëfimin e tij se se ishte keqtrajtuar, plagosur e ishte zënë rob nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

“Njanën këmbë ma kanë amputu prej një plumbi. Po ashtu e kisha edhe bashëshorten time që në Maskarën e Izbicës ishte plagosur. Atëherë nuk e kisha bashkëshorte, por plagët e luftës na bashkuan. Sa rrehen e kam hangër unë në Klinikën Univeristare veç i lumi Zot e dinë. Për herë të parë që i ka ditë vuajtjet e mia ka qenë prof Salih Krasniqi”, tha ai.

Foto: KALLXO.com

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh i lumtur dhe i tmerruar njeherëzi që kanë rastin ta botojnë këtë libër i cili përmban fakte shumë të rëndësishme për dhimbjen e Kosovës, po ashtu të tmerrshme si ndodhi.

“Nuk janë fiktive të serive të librave por përjetime të vëllezrve e motrave tona, kolegë tonë si mjek Leci, Shpëtimi, Ademi, motra Igballja”, tha Latifi duke e konsideruar librin si shembull i rezistencës dhe dinjitetit, kapituj që bëjnë që tragjedinë e Kosovës mos ta mbuloj harresa.

Profesori Ismet Salihu tha që ky libër i ndarë në dysh janë monument i rëndësishëm për gjeneratat e reja për luftën dhe sakrificën që është bërë për Pavarësinë e Kosovës.

“Me fakte me prova të pakontestueshme dhe si dëshmitar okular me shumë, me shumë fotografi, video-incizime e të dhëna ua tregon të gjithëve, edhe krimet masovike ndaj kosovarëve”, vlerësoi ai.

Profesori, Halim Hyseni tha se ky libër është klithmë drithëruese që duhet të shfletohet nga çdo inidivid, familje e shqiptar dhe jo vetëm.

“Profesori Salih Krasniqi me një gjuhë shumë të rrjedhshme dhe faktografi se çka ka ndodhur në QKUK”, tha ai.

Libri “Krimet e Luftës Kundër pacientëve dhe personelit mjekësor të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe në QKUK gjatë periudhës 1998-1999”, ka edhe pjesën e parë që ishte botuar në vitin 2018.