
Pjetër Shala kundërshton mënyrën e prezantimit të dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë në gjykimin ndaj tij
Pjetër Shala, ish-komandant i UÇK-së i njohur me nofkën “Ujku” i akuzuar për krime lufte, po përballet me një proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Të martën, gjatë gjykimit, Pjetër Shala ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me mënyrën e prezantimit të dëshmitarit të mbrojtur nga Prokuroria Speciale.
“Nuk jam dakord me Prokurorinë… derisa nuk përmenden emrat dhe identiteti i dëshmitarëve…” – deklaroi ai.
Pasi dëgjoi këtë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ndërpreu Pjetër Shalën dhe vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur.
Pjetër Shala po e ndjek procesin gjyqësor nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Krimet për të cilat ngarkohet Shala pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që sipas Prokurorisë Speciale u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.
Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.
Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, ku po mbahet në paraburgim.
Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.