Pjetër Shala: Kam luftuar kundër regjimit kriminal të Millosheviqit dhe jo civilëve

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i është përgjigjur pretendimeve  të prokurorisë e cila po e ngarkon atë me akuza për krime lufte.

Shala të mërkurën ka dhënë deklaratë pa betim duke mos e pranuar fajësinë, duke theksuar se ka luftuar për lirinë e vendit.

“Dëshiroj të ju falënderoj, unë e respektoj drejtësinë dhe nuk i iki. Asnjëherë në jetën time s’e kam bërë atë që më ngarkuar me aktakuzë. Kurrë asnjëherë, këto janë të panjohura për mua. Unë kam qenë vetëm një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit tim asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Unë kam luftuar kundër një makineri kundër një regjimi luftarak të Millosheviqit”- ka cituar Shala.

Gjatë deklaratës hyrëse, Pjetër Shala mohoi të ketë luftuar kundër civilëve. Kurse nga prokuroria kërkoi të paraqesë prova, dhe jo siç i quajti ai sajesa.

“Për prokurorinë unë jetoj që 25 vite apo gjysme shekulli jetoj në Belgjikë. Detyrë e prokurorisë është të hulumtojë dhe zbulojë dhe të paraqesë prova dhe jo të sajojë, madje ku jetoj unë është vepër e dënueshme”-u shpreh Shala.

E nga Dhomat e Specializuara Shala kërkoi vetëm drejtësi.

“Sa i përket Dhomave të Specializuara unë nuk i kam përkrah asnjëherë, por deshi fati të jem para jush. Nëse ka këtu vetëm pak drejtësi unë shpresoj të dal i pafajshëm”- ka deklaruar Shala.

Shala e përmbylli fjalën e tij duke thënë se është i pafajshëm. “Unë jam i pafajshëm për të gjitha akuzat që më kanë bërë në këtë proces”- përfundoi Pjetër Shala.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  gjykohet për krime lufte.

Ai ngarkohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje në Kukës,  në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Krimet u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave të ndaluar.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020e të  redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Shkrimet e tjera lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.