Seanca e shpalljes së aktgjykimit, 16.07.2024, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë
Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale
Pjetër Shala, i njohur me nofkën Komandant “Ujku” u dënua me 18 vjet burgim sot më 16.07.2024 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte.
Ai akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje në Kukës, në një fabrikë metali për të cilën aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.
Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit theksoi se pika e aktakuzës së trajtimit mizor është mbuluar me akuzën për torturë.
Sipas ZPS-së krimet u kryen përafërsisht midis 17.05.1999 dhe 05.06.1999, kundër personave të ndaluar, e viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.
Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë ose për mospërkrahje të UÇK-së.
Në aktakuzë thuhet se të arrestuarit në fabrikën e metaleve janë sulmuar në mënyrë rutinore si fizikisht, duke përfshirë rrahjet me instrumente të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, duke përfshirë kërcënimin me vdekje, poshtërimin, ngacmimin, marrjen në pyetje dhe deklaratat dhe rrëfimet e detyruara ose të detyruara.
Shala nuk e kishte pranuar pranuar fajësinë para kësaj gjykate, duke theksuar se ka luftuar për lirinë e vendit.
“Dëshiroj të ju falënderoj, unë e respektoj drejtësinë dhe nuk i iki. Asnjëherë në jetën time s’e kam bërë atë që më ngarkuar me aktakuzë. Kurrë asnjëherë, këto janë të panjohura për mua. Unë kam qenë vetëm një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit tim asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Unë kam luftuar kundër një makineri kundër një regjimi luftarak të Millosheviqit”- kishte thënë Shala.
E nga Dhomat e Specializuara Shala kishte kërkuar vetëm drejtësi, duke u shprehur se shpreson se do të dalë i pafajshëm.
“Sa i përket Dhomave të Specializuara unë nuk i kam përkrah asnjëherë, por deshi fati të jem para jush. Nëse ka këtu vetëm pak drejtësi unë shpresoj të dal i pafajshëm”- kishte deklaruar Shala.
A ishte arrestuar më 16.03.2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.
Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë akuzohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.
Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.
Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.
Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.
Procesi gjyqësor ndaj tij filloi më 21.02.2023 me fjalët hyrëse të Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe mbrojtjes.
Procedura e provave në këtë rast u mbyll më 09.02.2024 dhe fjalët përfundimtare u thanë nga 15 deri më 17.04.2024.
Në këtë proces gjyqësor dëshmuan 10 dëshmitarë të ZPS-së, ndërsa 2 dëshmitarë u paraqitën për avokatin e viktimave dhe 10 dëshmitarë ishin për mbrojtjen e Shalës.
Shkrimet e tjera lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.
Ky është dënimi i dytë i shqiptuar për krime lufte nga kjo Gjykatë.
Kjo Gjykatë shpalli aktgjykim dënues edhe ndaj Salih Mustafës më 16.12.2022 për krime lufte ku ai u dënua me 26 vjet burg, por shkalla e dytë i’a zbriti dënimin në 22 vjet burgim.
Në procesin gjyqësor ndaj tij ishin dëgjuar 29 dëshmitarë (14 për ZPS-në dhe 15 për Mbrojtjen), kurse numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë rast ishin 8.
Tutje, fajtor ishin gjetur edhe Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18.05.2022, duke i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 euro, e shkalla e dytë më 02.02.2023, i’a zbriti dënimin në 4 vjet e 3 muaj burgim dhe gjobë prej 100 euro. Ata ishin liruar me kusht pas ndryshimit të dënimit të tyre nga kryetarja e KSK-së Trendafilova më 17.10 dhe 14.12.2023. Ata ishin gjetur fajtor për veprat penale “Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja” dhe “Shkelja e fshehtësisë së procedurave”.
Në procesin gjyqësor ndaj tyre ishin dëgjuar 14 dëshmitarë (4 për ZPS-në; 6 për Gucatin; 4 për Haradinajn).
Aktualisht në këtë Gjykatë në proces gjyqësor janë rastet Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi (KSC-BC-2020-06), ku po dëgjohen dëshmitarët e prokurorisë, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala aktakuza kundër të cilëve është bashkuar (KSC -BC-2023-10 ), kurse ndaj Isni Kilajt nuk ka ende aktakuzë, dhe konsiderohet vetëm si i dyshuar.