Pjetër Ndrecaj në gjykimin për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij
Pjetër Ndrecaj: Në Polici e mora vesh se e kam vrarë gruan
I prangosur dhe i përcjellur nga forcat e rendit, Pjetër Ndrecaj erdhi sot në Gjykatën e Gjakovës.
Nën akuzën se ka vrarë gruan e tij, Valbonën dhe vajzën 9-vjeçare, Ndrecaj do të gjykohet nga fillimi pasi ishte dënuar nga Gjykata Themelore dhe e Apelit, vendime që u hodhën poshtë nga Gjykata Supreme që ktheu procesin në pikën zero.
Ndrecaj, para gjykatës sot dha mbrojtjen e tij.
Ai tregoi se që nga viti 2002 kishte qenë i martuar me tani të ndjerën Valbona Marku- Ndrecaj, ku ndërmjetësues i tyre fillimisht kishte qenë Ndue Mehmeti.
Ai tregoi se deri para se të ndodhte rasti rreth 3 muaj asnjëherë nuk kishte probleme me gruan e tij, por konflikti sipas tij kishte nisur kur vëllau i Valbonës, Shkelzen Marku ka dashur ta merrte motrën e tij në Gjermani.
I akuzuari Ndrecaj tha se që nga koha kur kishte qëndruar për 21 muaj në një burg të Serbisë, nuk është mirë dhe nganjëherë i bie terr i syve.
Avokati i tij Ndrec Dodaj, e pyeti se cili kishte qenë qëllimi i shkuarjes tek familja e Valbonës me armë.
“Unë me këmëngulje kam kërku me marr grun edhe me vazhdu jetën qysh e kem pas, pa probleme. Në momentin e parë Shkelzeni më ka ra me derë, më është gjujt dera në fytyrë dhe pastaj nuk e di çka kam bo, kam fillu me gjujt dhe kam ikur kam shku tek daja i gruas, Ndue Mehmeti, e pastaj në Polici kam dëgjuar që e kam vra gruan. E në vend të asaj ka qenë dashur të ishte vëllau i saj Shkelzeni dhe unë kam menduar se e kam vra Shkelzenin”- u përgjigj Pjetër Ndrecaj.
Pjetër Ndrecaj tha se 3 krisma apo gjuajtje i kishte dëgjuar nga brenda shtëpisë së Valbonës momentin kur kishte hapur derën që kishte shkuar për ta marrë atë.
Ai tha se i vie keq për rastin e ndodhur dhe se para vrasjes kishte insistuar me burra që ta merrte gruan e tij, por ish-gruaja e tij e ndjera Valbona i kishte thënë “pa thënë Shkelzeni kurgjo s’bohet edhe nëse shkoj n’Gjermani kurgjo s’bohet”.
Ndrecaj tha se arsyeja e dhunës në familjes ishte se Valbona nuk i kishte sjelljet siç i kishte pasur viteve të kaluara. Ai tregoi një moment kur ajo ia kishte shërbyer drekën me një sjellje jo të mirë.
“Kur ka ardhur Valbona nga familja e saj, ia kam parë disa lëndime (shenja) në fytyrë për të cilat nuk më ka treguar dhe më ka thënë nëse ti nuk mi don vëllezërit e mi, nuk më don as mua”- tha i akuzuari Pjetër.
Në dëshminë e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, vëllau i Valbonës, Kujtim Marku kishte vërejtje duke thënë që të gjitha janë të pa vërteta.
Në seancën e sotme, u kërkua sërish një ekspertizë e re psikiatrike për të akuzuarin.
Pas dëshmisë se djeshme të ekspertit të psikiatrisë Arsim Gashi, i cili ka treguar se i akuzuari Pjetër Ndrecaj nuk ka çrregullime mendore, sot mbrojtësi i të akuzuarit Ndrecaj avokati Ndrec Dodaj kërkoi nga gjykata që të bëhet një ekspertizë e re jashtë Institutit të Psikiatrisë Forenzike.
Për të njëjtën ekspertizë, Dodaj tha se është nuk është e plotë, është me të meta dhe nuk është e përpiluar në mënyrë strikte.
Mirëpo, gjykata e refuzoi propozimin që ndaj Pjetër Ndrecaj të bëhet edhe një ekspertizë e re psikiatrike.
Ky gjykim pritet të vazhdojë me datën 8 shtator, i udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, i ndihmuar nga gjyqtarët Ilir Rrashkaj dhe Mizair Shabani, ku do të ipet fjala përfundimtare.
Para dy javësh, një seancë e këtij rasti ka dështuar të mbahej.
Ndonëse kanë kaluar 2 vite nga vrasja e dyfishtë, ky rast ende po vazhdon të gjykohet.
Pjetër Ndrecaj ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.
Ai ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.
Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.
Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.