Ilustrim
Pjesëtarët e Policisë u njoftuan se i kanë të ndaluara pjesëmarrjet në aktivitete politike qysh në dhjetor të vitit të kaluar
Suspendimet e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pasi të njëjtit u panë nëpër fotografi të ndryshme që u shpërndanë në rrjete sociale e që ishin nga takime apo aktivitete politike, ngjalli debat nëse të njëjtit kanë apo jo të drejtë që të shfaqen në këto aktivitete, apo të tregojnë bindjet e tyre partiake edhe publikisht.
Ndonëse rreshteri Idriz Gashi i kthyer në punë sot, më 10.01.2025, koloneli Nexhmi Krasniqi dhe majori Isak Ejupi pretendohet se morën pjesë në aktivitete politike gjatë muajit janar, KALLXO.com ka arritur që të sigurojë një komunikim brenda hierarkisë së Policisë, për publikimet dhe aktivitetet e paautorizuara të zyrtarëve policorë edhe kur ato kalojnë në aspektin politik, për shkak të Zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Urdhëresa është dërguar te të gjithë eprorët e Policisë, më 17.12.2024.
Fillimisht Urdhëresa që i është dërguar të gjithë punonjësve të Policisë, ashtu siç kishte përcjellë edhe drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha prek edhe publikimet që zyrtarët policorë i kanë ekspozuar kohë pas kohe në rrjetet e tyre sociale me uniforma, shenja apo simbole të cilat më pas janë përdorur nga persona, apo grupe të tjera për të sulmuar institucionin e Policisë së Kosovës për joprofesionalitet dhe neutralitet.
Urdhëresa të tilla, siç përmendet edhe në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, u janë dërguar pjesëtarëve të Policisë edhe në të kaluarën, por në bazë të veprimeve të fundit që janë ndërmarrë shihet se nuk janë respektuar këto Urdhëresa.
Pika 2 e Dokumentit që ka siguruar KALLXO.com thotë se ‘me qëllim të ruajtjes së integritetit të veprimtarisë policore dhe rolit dhe përgjegjësisë që ka Policia në shoqëri, është e ndaluar pjesëmarrja në çfarëdo funksioni apo aktiviteti, përfshirë atë politik, i cili krijon konflikt të interesave me detyrat zyrtare dhe autorizimet e Policisë’.
Pra pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që nga data 17.12.2024, kanë qenë të njoftuar se e kanë të ndaluar pjesëmarrjen e tyre jashtë detyrave policore në aktivitete, grumbullime të cilat bëhen për qëllime politike.
“Policia si organ i rendit dhe sigurisë duhet të mbetet e paanshme dhe të mos marrë pjesë në aktivitete politike.” – përmendet në Urdhëresën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Madje në Urdhëresë thuhet se të gjithë pjesëtarët e Policisë janë të obliguar që të respektojnë këtë Urdhëresë.
“Çdo epror në tërë zinxhirin komandues duhet të njoftojë vartësit e tyre se aktivitetet, posedimet, komentet e tilla në rrjete sociale janë të ndaluara e nuk do të tolerohen dhe të gjithë që nuk e zbatojnë këtë Urdhëresë do të jenë subjekt i hetimeve, përfshirë edhe eprorët e tyre.” – thuhet tutje në Urdhëresë.
Suspendimi i tre pjesëtarëve të Policisë në janar
Idriz Gashi është njëri nga tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, i cili është suspenduar gjatë javës së dytë të janarit, nën pretendimet se mori pjesë në aktivitete politike.
Ai është kthyer në punë sot, më 10.01.2025, pas suspendimit i cili zgjati 72 orë.
Gashi është pjesë e Task-Forcës që hetoi rastin për rezervat shtetërore, si dhe ish-Kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqin. Për këtë të fundit ekziston tashmë edhe një Aktakuzë nga Prokuroria Speciale.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, Idriz Gashi u suspendua nën pretendimin se mori pjesë në aktivitet politik, gjatë janarit në krah të Partisë Demokratike të Kosovës.
Për Gashin u publikuan edhe disa fotografi derisa pretendohej se ishte pjesë e fushatës që ka nisur në Kosovë, për Zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Por avokati i hetuesit Gashi, Arianit Koci ka paralajmëruar një kallëzim penal, duke thënë se fotografia e publikuar është manipuluar.
“Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar. Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rezallë. Për këtë, klienti im ka prova materiale. Prandaj, jam autorizuar të përpiloj dhe të dorëzoj kallëzim penal për falsifikimin: manipulimin e fotos.” – ka shkruar avokati Koci, në rrjetin social të tij zyrtar në Facebook, më 08.01.2025.
Sipas tij rasti i klientit të tij ‘duket si një përpjekje e hapur për delegjitimimin e institucioneve shtetërore’.
KALLXO.com ka tentuar që të marrë një sqarim në lidhje me këtë rast, edhe nga vetë hetuesi policor Idriz Gashi.
Ai nuk pranoi që të japë versionin e tij për atë se për çka u suspendua dhe pjesëmarrjen e tij për të cilën u raportua se ishte në një aktivitet politik.
“Unë nuk mund të flas në lidhje me këtë çështje, sepse jam ende në Policinë e Kosovës, por edhe tashmë avokati ka nisur procedurat ligjore.” – tha Gashi shkurt përmes telefonit.
Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje për gjithë këtë ngjarje edhe nga drejtori i medias online ‘KosovaNews’, Jeton Sopa i cili publikoi artikullin me pretendimet se Gashi ishte pjesë e aktiviteteve politike.
Sipas Sopajt, pretendimet e avokatit Koci për gjoja falsifikim të fotografisë për Idriz Gashin nuk qëndrojnë.
“Fotografia në fjalë është autentike dhe është nxjerrë nga një print-screen i një video live në Facebook të aktivistit të PDK-së Lavdim Deliu. Në këtë foto shihet hetuesi Idriz Gashi i shoqëruar me simpatizant të PDK-së. Videoja live është në datën, kohën dhe vendin e njëjtë ku e ka mbajt tubimin PDK-ja, mirëpo personi më vonë e ka fshirë videon nga Facebook.” – ka thënë Sopa për KALLXO.com.
Sipas tij pas publikimit të lajmit, vetë personi që e ka publikuar videon e ka fshirë të njëjtën më pas.
“Si përfundim, me përgjegjësi të plotë morale dhe penale mund të konstatoj se fotografia e rreshterit Idriz Gashi nuk është e falsifikuar.” – përfundoi Sopa.
Përveç hetuesit Gashi, edhe dy pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës janë suspenduar këtë javë.
Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi është njëri prej zyrtarëve të Policisë për të cilin Inspektoriati i Policisë ka rekomanduar suspendimin nga detyra, për shkak se i njëjti mori pjesë në një aktivitet politik.
Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografitë e shpërndara nga kandidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha janë shpërndarë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, më 06.01.2025.
Me të marrë informacionin, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur një hetim me ç’rast edhe ka kërkuar suspendimin nga detyra të Kolonel Krasniqit.
Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar Krasniqin për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së tij në aktivitetin politik, por i njëjti nuk pranoi të sqarohej.
“Kush ka thënë që s’kanë të drejtë të marrë pjesë Policia? Janë Rregulloret, po lexoje Ligjin për Policinë dhe gjeje Nenin aty dhe mirupafshim.” – deklaroi Nexhmi Krasniqi për KALLXO.com.
Krasniqi mban pozitën e Drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë.
Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me Isak Ejupin, Major në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektoriati i Policisë inicoi procedurë disiplinore ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.
Ndaj majorit Ejupi IPK inicioi procedurë disiplinore, pasi i njëjti kishte marrë pjesë në një tubim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i njëjti shihet në një video të shpërndarë nga LDK, gjatë ditës së djeshme.
Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve njoftoi sot, më 08.01.2025, se pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, në të cilat janë përfshirë një gradë e Kolonelit policor dhe një Major.
IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e Kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e Majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.
“Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë, që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.