Pjesëtarët e FSK-së trajnohen si të reagojnë në Fushëbetejë nga instruktorë amerikan

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar trajnimin “Reaguesi i Parë në Fushëbetejë”, i mundësuar nga ekipi i instruktorëve Amerikan.

Pjesëmarrës ishin një toge e Kompanisë 2A të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë, ka njoftuar FSK.

“Gjatë realizimit të këtij trajnimi pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përveç që përfituan në aspektin e njohurive dhe eksperiencave të reja sa i përket reaguesve të parë në fushëbetejë ata përfituan edhe eksperienca sa i përket ndërveprueshmërisë me partnerët”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ceremonia e certifikimit për të gjithë pjesëtarët që arritën ta përfundojnë me sukses trajnimin, u organizua në ambientet e kazermës “Ushtarët e NATO-s” në Istog.

Një nder objektivat e Forcës së Sigurisë së Kosovës është shkollimi dhe trajnimi i pjesëtarëve të saj, me qëllim të mbajtjes së nivelit të gatishmërisë si dhe avancimit dhe ngritjes profesionale në të gjitha fushat, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Foto: FSK, Facebook