Pjesëtarët e FSK-së dekorohen me medalje pas kthimit nga misioni në Kuvajt

Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me medaljen, “ Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare”,  pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës pas përfundimit të misionit të tyre të parë jashtë vendit përkrahë Gardës Kombëtare të IOWA në shtetin e Kuvajtit, gjatë periudhës maj-tetor.

Zëvendësministri i mbrojtjes, Shemsi Syla gjatë ceremonisë e ka quajtur moment kulminant pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në misionin në Kuvajt.

“Sot në këtë ceremoni jemi të gjithë të nderuar të përjetojmë këtë moment shumë të rëndësishëm që do të mbetet një moment kulminant që ka ndodhur ndonjëherë në historikun tonë ushtarak. Kjo është vetëm nisma dhe do të vazhdohet edhe më tutje me operacione tjera kudo që na kërkohet neve dhe kudo që shtetet partnere kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha Syla.

Major Mentor Ibrahimi, kapiten Kreshnik Haxhiu, toger Dhurim Shemsedini, tetar Hynor Lajqi dhe ushtar Mehmet Mehmeti u dekoruan edhe me medaljen, ‘Shërbim Vetëmohues” nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama.

Gjenerallejtanant Rama tha se ky mision “ka qenë që FSK të kontribuojë sa më shumë në paqen globale”

Gjatë kësaj ceremonie janë ndarë medalje edhe për pjesëtarët nga Garda Kombëtare e IOWS-së, për kapiten Wesley R. Gudenkauf dhe rreshter i klasit të parë Matthew G. Sandersen.

Ndërsa, Stephen Rose nga Ministria e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lavdëroi punën e pjesëtarëve të FSK-së.

“Ju keni kontribuar që të bëni botën një vend të sigurt. Siguria vjen me paqe dhe me prosperitet”, theksoi ndër të tjera kolonel Rose.

Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme në shtetin e Kuvajtit, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

(FOTO) Historike – zbarkimi i parë i FSK-së krah ushtrisë amerikane në Kuvajt